Transmetuar më 04-05-2020, 11:05

Konfirmohen tetë raste të reja të infektuarish me koronavirus në 24 orët e fundit, nga 140 testime të kryera.

Prej tyre 5 në Tiranë, 2 në Elbasan dhe një në qytetin e Durrësit.

Shefja e inteligjencës në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi se aktualisht janë 229 raste aktive.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me Covid-19 në të gjithë vendin 803 qytetarë dhe aktualisht 68 % e tyre janë shëruar.

Pjesa më e madhe e të prekurve po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet Covid, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja paraqitet e qëndrueshme. Aktualisht janë të shtruar 34 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.

Nga sot, ka nisur një lehtësim i mëtejshëm i masave shtrënguese, me shtimin e zonave të gjelbra, lejimin e shërbimit taksi ndërqytetas me dy pasagjerë të së njëjtës familje si dhe lehtësimi për të riatdhesuarit që janë me banim në zonat e kuqe, të cilët do të vetëkarantinohen në banesë.

Duke nisur nga ky lehtësim i masave është shumë e rëndësishme të rritet kujdesi vetjak, të respektohen rregullat e reja, ndaj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë.

“Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus. Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, tha Tomini.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 93; Krujë 87; Shkodër 17; Kurbin 14; Kukës 5; Elbasan 4; Mirditë 2; Berat 2; Durrës 1; Korçë 1; Lezhë 1; Lushnje 1 dhe Mat 1

Gjatë javës së epidemisë, përqindja e pozitivitetit arriti në 4.3 %, vlera më e ulët nga fillimi i epidemisë, që tregon funksionimin e masave të marra, identifikimin dhe  gjurmimin epidemiologjik të rasteve të dyshuara dhe kontakteve të tyre në kohë.

PËRDITËSIM LIVE 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd