Hidhet nga godina e karantinës dhe vdes një djalë i ri në Prishtinë
Transmetuar më 03-05-2020, 19:06

Një djalë i ri i dha fund jetës pasditen e sotme, e diel pasi u hodh nga kati i katërt i një pallati që isbte kthyer në zonë karantine. Ngjarja tragjike ndodhi para pak në qendër të Prishtinës te zona e konvikteve studentore, raporton noa.al.

Policia tha se në orën 17.45 të së dielës, viktima, një djalë i ri nga Gjilani, u dërgua në qendrën spitalore të kryeqytetit me plagë të rënda.

“Rreth orës 17:45 e kemi konfirmuar vdekjen. Ka ardhur me shenja të rënda në bazën e kokës. Ka pasur gjakëderdhje nga veshet hunda dhe goja dhe fraktura te mëdha. Pra lëndimet kane qenë vdekjeprurëse”, ka thënë drejtori i Shërbimit të Urgjencës, Gëzim Mustafa.

Ndërkohë, lajmin se një person është hedhur nga njëri prej konvikteve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës Daut Hoxha tha se i riu u dërgua me autoambulancë në drejtim të Klinikës Emergjente, por nuk arriti të mbijetojë.

Sipas një dëshmitari që po qëndron i karantinuar, i ndjeri u hodh nga kati i katërt, por arsyet nuk janë të qarta. Në foto gjendet godina pas ngjarjes dhe urgjenca.

Dëshmitarët kanë deklaruar se 26-vjeçari kishte probleme shëndetësore dhe kishte kërkuar të hyjë në vetizolim, por kërkesa e tij ishte refuzuar.

Kryetari i bashkisë Gjilan, Lutfi Haziri dha këtë mesazh: "U trondita me lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të 26-vjeҫarit, Agon Musliu, i cili ishte student i shkëlqyer i masterit, në Gjermani. Humbje e madhe për familjen e për Gjilanin. Komuna e Gjilanit do t’i qëndrojë afër familjes. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!"

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një komunikate, ka kërkuar nga organet e rendit "që sa më parë të zbardhen rrethanat e vdekjes së këtij të riu 26 vjeçar".

Në bazë të një vendimi të institucioneve të Kosovës, Qendra e Studentëve në Prishtinë është shëndruar në karantinë për personat që hyjnë në Kosovë.

Ky vendim është marrë në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar sonte duke kërkuar që organet e hetuesisë të zbardhin sa më shpejt të jetë e mundur rastin e vdekjes tragjike të 26-vjeçarit që dje kishte ardhur nga Gjermania dhe ishte vendosur në karantinë për 14 ditë.

“Si president i vendit kërkoj përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e këtij të riut dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë:

Jashtëzakonisht shumë tragjike humbja e jetës së të riut në Karantinën e Qendrës së Studentëve në Prishtinë. Humbja e jetës së këtij 26-vjeçari nga Gjilani na ka prekur tejmase të gjithëve, por kjo vdekje assesi nuk guxon të mbetet enigmatike.

I bëj thirrje organeve të hetuesisë që sa më shpejt që është e mundur t’i zbardhin të gjitha rrethanat e kësaj vdekjeje tronditëse për të gjithë qytetarët, në këtë kohë pandemie.

Si president i vendit kërkoj përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e këtij të riut dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor".

Po ashtu ka reaguar edhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli pas vdekjes së 26 vjeçarit në konvikte, ku ishte karantinuar pas kthimit nga Gjermania. Veseli ka kërkuar hetim dhe përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse.

“Ndarja nga jeta në karantinën e Qendrës Studentore, e djaloshit 26 vjeçar nga Gjilani, është shumë e dhimbshme, është një akt i rëndë dhe që mbart përgjegjegjësi shtetërore, duke qenë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit. Ndaj, është e domosdoshme që organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetimet”, shkroi Veseli në Facebook.

Po ashtu reagoi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Ai tha se me gjithë kërkesën e familjes dhe nevojës së djaloshit për përkujdesje mjekësore, ky i ri është urdhëruar për karantinim.

“Përkundër të gjithave, institucionet e Kosovës do të duhej të ishin më vigjilente që tragjedi të tilla nga pakujdesia dhe indiferenca të mos ndodhin, pikërisht në këtë kohë kur të gjithë jemi vënë në alarm dhe gatishmëri, që asnjë jetë të mos humbet nga papërgjegjshmëria”, ka thënë Haradinaj.

/noa.al/

Loading...