Prishtina del nga karantina, 3 fazat e kthimit në jetën e përditshme
Transmetuar më 03-05-2020, 14:02

Prishtina ka dalë nga karantina. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se nga ora 00.00 e të dielës kryeqyteti i Kosovës hiqet nga karantina.

“Prishtina hiqet nga karantina. Ju lus edhe më tutje që mos të relaksohemi ne. Sa më të kujdesshëm, të gjitha masat do të relaksohen më shpejt. Përkundër lehtësimit, rreziku ende nuk ka kaluar”, ka thënë Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Megjithatë, ai ka njoftuar se masat e tjera do të mbesin në fuqi, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

Marrë parasysh të dhënat e fundit deri më tani në Kosovë, 813 persona janë infektuar, 298 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19.

Nga nesër (4 maj) masat për parandalim të përhapjes së pandemisë do të ndryshojnë. Kjo pasi numri i rasteve të reja me coronavirus në vend ka shënuar rënie, ndërsa janë regjistruar numër më i madh i të shëruarve.

Faza e parë do të nisë nga data 4 maj deri më 18 maj. Gjatë kësaj periudhe do të zgjerohet orari i lëvizjes së qytetarëve nga 1.5 në 3 orë në dy orare para dite dhe pas dite.

Faza e dytë planifikohet nga 18 maji deri më 1 qershor, ku planifikohen të lirohen masat varësisht nga situata, ndërsa faza e tretë nis nga 2 qershori deri në vendimin e radhës.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se nuk do të ketë më rotacion të orarit por nga nesër qytetarët do të dalin dy herë nga 90 minuta, para dhe pas dite.

Vitia ka theksuar se qytetarët nuk duhet të relaksohen por të vazhdojnë t’i respektojnë masat e qeverisë dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Loading...