Transmetuar më 03-05-2020, 11:47

Ndërron jetë këngëtarja e njohur e muzikës popullore shqiptare, Shahindere Bërlajolli.

Këngëtarja nga Peja e Kosovës, u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 74-vjeçare.

Lajmin e trishtë për ndarjen e saj nga jeta, e ka konfirmuar vajza e saj, këngëtarja Besiana Mehmeti.

“Sot na la një prej zërave më origjinal të këngës shqipe Shahindere Bërlajolli- Stafaj e cila në çdo paraqitje reflektonte civilizim dhe kulturë. Nga Peja dhe familja e njohur Bërlajolli, në Gostivar për të mbetur gjithnjë energjike, kërkuese, motivuese. Pas jetesës dhe sukseseve në Prishtinë, ajo në mes dy dashurive zgjodhi vendlindjen e bashkëshortit- muzicientit të mrekullueshëm me kujtimin e të cilit u shoqërua në dekadën e fundit! Megjithë sfidat e jetës ajo në çdo bisedë reflektonte aq shumë pozitivitet, dashuri dhe krenari!Ngushëllime familjes Stafaj! Alban, Astrit dhe Ardit të jeni krenarë që mbartni traditën e një ikone të pakopjueshme dhe unike! Muzika shqiptare sot është në zi, por kënga e pastër shqipe që kultivoi do jehojë kurdoherë bashkë me emrin e saj që historia e muzikës autoktone do ta shkruajë me shkronja të arta!”, është shprehur Mehmeti.

Ndër këngët më të njohura të Shahindere Bërlajollit janë: “Gajdexhiu”, “O bylbyl me pika-pika”, “Kush ma i pari bani”, “Në zabel të erdha”, “Hajde dalim moj goce” etj.

Këngëtarja u ngjit për herë të parë në skenë në moshën 13-vjeçare dhe prej asaj kohe mori rrugë karriera e saj e suksesshme./a.k/noa.al/