
Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha ditën e djeshme për mjekun Tritan Kalo se habitet se “ku e gjen kohën që të dalë në studio televizive, kur është në vijën e parë të luftës”.
Mjeku Tritan Kalo ka kthyer përgjigje nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ku thotë “se e gjen kohën për publikun, që vuan nga pushteti duar-gjatë e i pangopur”.
“Duke qënë në vijën e parë të sfidës ndaj Covid-19, duhet ta dijë gjithkush se si profesionist dhe qënie sociale e ndërgjegjësuar, si një mantelbardhë i panjolltë, unë e gjej edhe kohën të mendoj e të shprehem për ata/ato, që vuajnë nga keqpërdorimi 30 vjeçar i pusht-shtetit nga pusht-shtetarët duar-gjatë e të pangopur”, shkruan ai.
Kalo thekson më tej se:
“Publiku në këto kohë kovidiane e ka të domozdoshme të informohet e të mos “provokohet” nga gjithfarë diskutimesh e debatesh në TV, shtypin e shkruar apo në rrjetet sociale, të cilat janë shpesh jo të mirë-mbështetura mbi shumë fakte… Hedhja në tregun informativ të shumë e shumë hipotezave, ende të pa mbështetura mbi fakte të qënësishme: 1- Epidemiologjike, 2- Virologjike, 3- Imunologjike, 4- Klinike dhe 5- Imazherike, mundet të mos ndihmojnë në nxjerrjen e të vërtetës së Fillim – Evolucionit të Pandemisë Sars-Cov2/Covid-19, jo vetëm në Shqipëri por edhe gjetkë…”, shkruan Kalo ndër të tjera./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





