Transmetuar më 03-05-2020, 01:30

Organizatorët e Formula 1 kanë njoftuar se edhe nëse gara për Çmimin e Madh të Hungarisë zhvillohet sipas orarit, ajo do të zhvillohet pa praninë e tifozëve.

"Nëse gara për Çmimin e Madh të Hungarisë zhvillohet këtë vit, zyrtarët e garës kanë konfirmuar sot se do të zhvillohet pa pjesëmarrjen e tifozëve", njoftuan nga Formula 1.

Gara është paraparë të zhvillohet më 2 gusht në pistën Hungaroring në afërsi të kryeqytetit Budapest.

Megjithatë, qeveria hungareze ka ndaluar ngjarjet me më shumë se 500 të pranishëm deri në 15 gusht.

Përmes një deklarate, ekipi i Hungaroring tha se vendimi ishte "i nevojshëm për të mbrojtur shëndetin e tifozëve dhe stafit".

"Tani është bërë e qartë se ne nuk mund të mbajmë edicionin e 35-të të garës për Çmimin e Madh të Hungarisë në Formula 1 para tifozëve, pavarësisht të gjitha përpjekjeve tona", thuhet në deklaratë.

"Javët e fundit, ne jemi shprehur vazhdimisht se jemi të hapur për çdo zgjidhje për të organizuar Çmimin e Madh përsëri këtë vit, ndërsa dje u bë e qartë se e gjithë kjo është e mundur vetëm pas dyerve të mbyllura", thonë nga Formula 1.

Pandemia COVID-19 ka prishur plotësisht kalendarin sportiv të këtij viti dhe Kampionati Botëror 2020 në Formula 1 është ndër garat ndërkombëtare të prekura.

Dhjetë gara në Formula 1 janë anuluar ose prolonguar deri më tani, ndërsa sezoni pritet të vazhdojë me garën për Çmimin e Madh të Austrisë, të paraparë të mbahet më 5 korrik.

Shikoni dhe një video, ky është momenti më i frikshëm për një pilot të Formula 1.