Transmetuar më 03-05-2020, 00:49

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve i ka drejtuar një letër kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar që të mos kenë kufizim orari kur këto aktivitete të hapen, sipas kushteve të përcaktuara pas 18 majit.

Ata theksojnë se në fashën e orarit 05:00-17:30 është orar zyrtar pune për të gjithë qytetarët dhe për këtë nuk mund të kenë klientë.

Për këtë arsye ata kërkojnë që për këto aktivitete të mos ketë fashe oraresh, ndërsa theksojnë se kujdesi për mbrojtjen ndaj infektimit me COVID-19 të qytetarëve do të jetë maksimal.

“Jemi të gjunjëzuar pasi prej 50 ditësh kemi ulur qepenët", – shprehet Shoqata e Bareve dhe Clubeve në këtë letër ndaj Edi Ramës: "Duam të rihapemi sa më parë dhe pa kufizim orari!

Shoqata e Bareve, Restoranteve dhe Klubeve thotë se kanë qenë të parët që u ndërgjegjësuan dhe zbatuan me korrektësi masat e qeverisë kundër COVID-19.

Në letrën drejtuar Ramës, Shoqata e Bareve thekson se e ka mundur frikën dhe kërkon rihapjen sa më parë dhe pa kufizi orari të bizneseve, duke u treguar të kujdesshëm.

Më herët kryeministri Edi Rama njoftoi se më 18 maj do të hapen baret dhe restorantet vetëm për hapësirat e jashtme, por deri në orën 17.30. Ndërsa nuk dihet nëse do të vazhdojë karantina e plotë nga pasditja e të premtes deri mëngjesin e të hënës së çdo jave.