

Ish-deputeti demokrat Agron Shehaj thotë se karburanti që po ndërtohet në Lungomaren e Vlorës, bëhet me lejën e Edi Ramës.
Ai thotë se Edi Rama ka dhënë tokë publike, duke ua marrë qytetarëve të Vlorës për t’ia dhënë oligarkut.
Shehaj denoncon se Edi Rama prishi dhjetëra biznese me të cilat mbanin frymë qindra familje vlonjate, por nuk e preku karburantin dhe pastaj ndryshoi planin e rregullimit të Vlorës që të lejonte rindërtimin e karburantit.
“Pastaj fali tokën publike që karburanti të bëhej shumë i madh. Pastaj lejoi shkatërrimin e investimit publik që ishte bërë aty, përfshirë shkatërrimin e palmave dhe të trotuarëve. Në fund, rrahu dhe dhunoi vlonjatët që ngritën zërin dhe protestuan kundër kësaj shëmtie buzë detit të bukur të Vlorës. Duhet të jesh idiot të mendosh se të gjitha këto veprime kriminale, Edi Rama i ka bërë për ndonjë arsye tjetër veçse për para. Edi Rama çdo gjë e bën vetëm për para”, shkruan Shehaj.
Sipas tij, etja e Ramës e pangopuar për para e ka kthyer në një vegël në duar të oligarkëve, të cilët po e përdorin për të grabitur dhe për t’u bërë pronarë të të gjithë Shqipërisë.
Në vijim thotë se përrallat me Gjykatë të Lartë janë fasadë: edhe po nuk shpronësoi dot tokën, mjaft që qeveria të mos i japë licencë karburantit dhe as leje ndërtimi për ndonjë gjë tjetër dhe aty mbetet çdo gjë e pandryshuar, por se Edi Rama është në shërbim të oligarkut dhe jo të interesit publik.
Në krahasim me portet, aeroportet dhe rrugët që Rama u ka falur oligarkëve, pika e karburantit vlen shumë pak, nënvizon ai, por ajo është një monument i babëzisë dhe plaçkitjes së pronës publike nga një kryeministër që ka braktisur krejtësisht popullin e tij.
Shehaj shton se kjo babëzi e ka kthyer Shqipërinë në pronë të pak njerëzve që po e trajtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët si koloni të tyre, duke i plaçkitur dhe dhunuar.
“Ata që guxojnë të ngrenë zërin, i censurojnë, i përflasin dhe njollosin me shpifje dhe gënjeshtra, i kërcënojnë dhe i dhunojnë me anë të mercenarëve të tyre nga brenda partive politike, në media e deri në botën e krimit. Që Shqipëria të ndryshojë nuk duhet larguar vetëm Edi Rama, por duhet t’i pritet rruga edhe këtyre biznesmenëve të kriminalizuar”, thotë në mbyllje ish-ligjvënësi demokrat. /a.y/noa.al
Benzinatoja në Lungomare, Rama: Çiban, na e la drejtësia e vjetër
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





