







“Arrest me burg” ka vendosur Gjykata e Durrësit, për të dyshuarit si vrasës të dy vëllezërve Viktor Haxhia dhe Besmir Haxhia.
Altin Ndoci dhe shoku i tij Klevis Alla, do të qëndrojnë në qeli në vijim të hetimeve ndaj tyre, teksa krahas krimit të 27 prillit, akuzohen edhe për ekzekutimin e dyfishtë të ndodhur po në Durrës, ku mbetën të vrarë 24-vjeçari Anxhelo Avdia dhe 35-vjeçari Dorian Shkoza.
Avokati mbrojtës i të dyshuarit kryesor Altin Ndoci, Saimir Visha tha në dalje të gjykatës se klienti i tij mohon kategorikisht krimin, madje i ka miq.
“Klienti im shprehet se nuk e ka kryer krimin. Në seancë nuk u paraqit asnjë provë nga prokuroria, ndihet i shokuar se dy viktimat i ka pasur lidhje miqësore dhe familjare. Ka shkuar edhe në varrim edhe për të tretat, dhe ndihet i shokuar pse e vendos gishtin policia tek ai”, tha Visha.
Po ashtu shtoi se për shkak të veprës së rëndë gjykata caktoi arrest me burg, por sipas tij për klientin e tij nuk ka prova.
Gjatë operacionit të koduar “Shën Vlash” ku u arrestuan Ndoci dhe Alla, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga të dyshuarit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve. /a.y/noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






