Transmetuar më 02-05-2020, 09:10

Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë italiane, është vënë në prangat e policisë në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë në bashkëpunim me Interpol Tirana, pas shkëmbimit të informacioneve për vendndodhjen e tij, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

I arrestuari është Gj. Ll., 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap pasditen e së premtes në kryeqytet.

Ndaj tij, Gjykata e Hetimeve Paraprake e Romës, me vendimin nr. 54980/16 RGNR-24411/19 RG GIP, datë 18 nëntor 2019 ka caktuar masën e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve në sasi të mëdha, kryer në bashkëpunim”. Maksimumi i dënimit që rrezikon, është 10 vjet burgim.

Drejtësia italiane ka bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore të aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve, të 38-vjeçarit dhe të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ky shtetas, në rolin e ndërmjetësuesit, i ndihmuar dhe nga persona të tjerë, ka arritur t’i dorëzojë një shtetasi italian (trafikant droge), një sasi të madhe kanabisi, e cila më pas është sekuestruar nga policia italiane, duke vënë para drejtësisë gjithë autorët e përfshirë në këtë aktivitet kriminal të kundërligjshëm.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, vijon veprimet për ekstradimin e e tij drejt Italisë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd