Transmetuar më 02-05-2020, 00:50

Frika e infektimit nga COVID-19 dhe procedurat e pajisjes me rekomandime nga mjeku dhe leje nga e-Albania për të shkuar drejt spitaleve ka bërë që gjatë këtyre dy muajve të sëmurët kronikë të qëndrojnë të mbyllur dhe gjendja e tyre shëndetësore të rëndohet. Për pasojë, këto ditë në dyert e Urgjencës së QSUT është rritur ndjeshëm fluksi i pacientëve kronikë duke shkuar në 120 raste në ditë.

Shefi i Urgjencës Kirurgjikale të QSUT, Eqerem Hasani tha sot në prononcim televiziv se rëndimi i gjendjes së të sëmurëve kronikë ka detyruar mjekët të ndryshojnë dozën e ilaçeve për pacientët, me qëllim stabilizimin e parametrave shëndetësorë.

Ndonëse nga Urgjenca Kombëtare ministrja e Shëndetësisë e krahasoi punën në shëndetësi si sahat ku të gjitha pjesët e tij duhet të funksionojnë që çdo gjë të shkojë mirë, thirrjen e bëri për rritje të vigjilencës në identifikimin e vatrave të reja Covid-19 për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit.

Pesha e urgjencave mjekësore joCovid, aktualisht po përballohet nga Trauma dhe Urgjenca Kirurgjikale në QSUT duke shënuar së bashku rreth 300 të tilla në 24 orë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd