
Kohët e fundit ka një konfuzion mes qytetarëve për mbajtjen ose jo të maskave në publik. Nga jashtë vijnë lajme të ndryshme për përdorimin e tyre. Disa qytete në Europë dhe disa shtete në SHBA, po i bëjnë të detyrueshme ato në ambiente publike.
Në Shqipëri, nuk ka një vendim të tillë. Komunikimi më i fundit nga qeveria mbi këtë argument, ka qenë nga kryeministri Edi Rama, i cili ka këmbëngulur se maska duhet të mbajnë vetëm bluzat e bardha dhe ata që janë të infektuar ose kujdesen për ta.
Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, është racional në rekomandimet e tij për maskat. Ai tha sot se mbajtja e maskave duhet bërë në mjedise të caktuara. “Maska duhet të vendoset në ambiente publike, por nuk është e nevojshme të vendoset kur jeni në rrugë. Polici sigurisht duhet ta ketë. Duhet medoemos të mbahet maska edhe nga studentët kur jeni në ambiente të mbyllura”, tha mjeku Pipero.
Sipas tij, lirimi i masave shtrënguese po shkon në mënyrë proporcionale me ecurinë e pandemisë. "Besoj që vendimi i marrë nga qeveria për të vazhduar me lehtësimin e masave është lajm i mirë, është masë racionale dhe e domosdoshme”, është shprehur mjeku infeksionist Pëllumb Pipero.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





