
Kanë ardhur kohë të tjera dhe varfëria po i bashkohet ankthit tashmë dymujor të pandemisë Covid-19. Efekti zinxhir po jep pasojat e saj në familjet shqiptare dhe ky është një rast tipik i bërë publik përmes medias, në kushtet kur shumë familje të tjera nuk e kanë këtë mundësi.
Kjo grua, rrëfen se jeton në Voskopojë, qyteza malore e turizmit dimëror dhe pushimeve verore në ajër të pastër. Por tani, kjo zonë është braktisur pa dëshirë nga shqiptarët e të huajt.
Për rrjedhojë, varfëria ka nisur efektet e saj. Gruaja pohon se gjendja e tyre është vështirësuar kaq shumë sa në vend të hanë tre vakte në ditë si më parë, i përmbledhin ato në një vakt të vetëm, pasi nuk kanë me se të shtyjnë ditët.
“Nuk ka qenë asnjëherë kështu. Voskopoja ka patur turistë, ishte plot, rrugët ishin plot gjallëri. Kemi mbetur të vdekur. S’kemi të ardhura nga asnjë lloj gjëje. Hanim tre herë, tani hamë një herë", – pohon ajo.
Si kjo grua, edhe banorët e tjerë të zonës, shprehen për Fax News se është hera e parë që Voskopoja mbetet e heshtur, pa turistë, gjë që ka çuar në një dëmtim real të ekonomisë, pasi mënyra e vetme që këta banorë sigurojnë të ardhurat, është turizmi.
Duke qenë se tashmë po jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme, të indinjuar shprehen se nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga shteti dhe askush nuk ka shkuar të shohë gjendjen e tyre.
“Ka një muaj e gjysmë që është bosh, që me fillimin e karantinës dhe s’ka qarkullim fare. Kjo është gjendja më e keqe që kemi parë. Një ajër i freskët, i bukur, i këndshëm, por nuk shohim njerëz dhe kjo na trishton.”
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





