
Ndërsa koronavirusi i ri vijon të përhapet me shpejtësi rreth botës, shkencëtarët po përpiqen të gjejnë mënyra se si të identifikojnë ata që kanë qenë të infektuar, përfshirë të shëruarit nga Covid-19. Mendohet se këta persona mund të jenë imunë ndaj virusit vdekjeprurës dhe për këtë arsye të ashtuquajturat teste serologjike apo të imunitetit, mund të ndihmojnë në rindezjen e motorit të ekonomisë pa frikën e riinfektimit.
Një studim i “Nature Medicine”, i cituar edhe nga epidemiologët në Itali, pretendon se 100% e pacientëve zhvillon antitrupa. Zbulimi e bën të besueshme diagnozën serologjike dhe nëse antitrupat do të ishin mbrojtëse, kjo do ishte premtuese për imunitetin.
Por, a nënkupton realisht prania e antitrupave imunitet ndaj virusit? Mendimet janë kontradiktore. OBSH tha në një deklaratë zyrtare se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë që personat e shëruar të jenë imunë ndaj Covid-19. Edhe studiuesit në Gjermani thanë në një deklaratë të përbashkët se mënyra e vetme për të luftuar koronavirusin është përmes gjurmimit të kontakteve. Imuniteti i masës, sipas tyre, do të dojë vite të krijohet.
Një problem me testet serologjike është se nuk e dimë se çfarë nënkupton imunitet afatgjatë apo afatshkurtër. Mund të ndodhë që disa të shëruar të mos gjenerojnë antitrupa, por kjo mund të mos nënkuptojë se nuk janë imunë, thotë revista “Live Science”.
Ndërkaq, të tjerë mund t’i kenë antitrupat, por ato mund të mos jenë të efektshme në neutralizimin e virusit.
Mbi një gjë dakordësohen të gjithë: testet serologjike janë të rëndësishme, pasi janë gati të pagabueshme në zbulimin e atyre që kanë qenë të infektuar.
Mikrobiologu Gentian Kasmi, ndalet në dobinë e tyre në këtë periudhë pandemie. “Testet serologjike po përdoren gjerësisht në botë, pasi po ndihmojnë për verifikimin e shtrirjes së infeksionit në popullatë. Ka teste serologjike që japin përgjigje brenda 15 minutash dhe ato që kryhen në kushte laboratorike. Këta të fundit janë më të besueshme. Kur ka pak numra të testuar me biologji molekulare, përdorimi i testeve serologjike do të ndihmonte shumë shëndetin publik për të krijuar ide mbi numrat e prekur në popullatë”, deklaroi Kasmi në intervistë sot me A2.
Por, sipas tij, duke qenë se këto teste janë të pavaliduara, mund të keqorientojnë në ndjekjen dhe kontrollin e infeksionit. “Me këto teste nuk maten antikorpet neutralizuese që ndalojnë virusin për të dëmtuar qelizën. Nuk ka prova për këtë. Testet që po përdoren kudo në botë janë të pavaliduara, pasi koha ka qenë e shkurtër për ta bërë këtë. Një test i keq mund të keqorientojë në ndjekjen dhe kontrollin e infeksionit. Testet që duhet të përdoren në Shqipëri duhet të jenë teste të validuara”, theksoi mikrobiologu.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





