Transmetuar më 01-05-2020, 12:16

Shënohen 9 raste të reja infektimesh nga koronavirusi në Shqipëri, në 24 orët e fundit.

Në raportin me të dhënat e fundit të publikuar nga përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja, u bë me dije se 5 nga infektimet janë në Tiranë dhe 4 në Krujë.

Daja bëri me dije se infektimet e reja dolën, pasi gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 245 persona të dyshuar me COVID-19 nga veriu në jug dhe.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 782 qytetarë. Prej tyre janë 488 të shëruar.

Duke parë të dhënat, momentalisht situata epidemiologjike në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme. Harta e të shëruarve është zgjeruar në të gjithë vendin. Për këtë arsye, përveç zonave që kanë qenë të paprekura nga COVID-19, është zgjeruar harta e zonave të gjelbra, edhe me ato bashki që momentalisht paraqesin risk më të ulët të transmetimit të infeksionit.

Aktualisht në vendin tonë janë 263 pacientët aktivë me COVID-19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.

Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive, është në Tiranë 100 raste; Shkodër 24; Krujë 93; Durrës 0; Fier 1; Kurbin 27; Korçë 1; Elbasan 2; Kukës 8; Lezhë 1; Has 0; Kavajë 0; Lushnje 1; Vlorë 0; Pukë 0; Mirditë 2; Rrogozhinë 0; Tropojë 0; Berat 2; Mallakastër 0 dhe Mat 1.

Pavarësisht se nga e hëna do të ketë një lehtësim tjetër të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale.

“Është shumë e rëndësishme të respektohen këto masa, pasi deri në momentin që nuk kemi një vaksinë apo trajtim të përcaktuar, vigjilenca duhet të jetë maksimale.

Të moshuarit apo dhe qytetarët me sëmundje kronike duhet të vazhdojnë të komunikojnë me mjekun e familjes për recetat me rimbursim, duke evituar sa më shumë të jetë e mundur kontaktet me institucionet shëndetësore, përveç rasteve kur është e domosdoshme. Për pyetjet që mund të keni për sëmundjet kronike apo COVID19 ju lutem telefononi në linjën e gjelbër 0800-40-40. Por nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 duhet të telefononi numrin e urgjencës 127”, deklaroi Daja. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd