Transmetuar më 01-05-2020, 09:05
Foto ilustruese

Një familje e tërë në Mbrostar të Fierit, duhet të përballet me drejtësinë, pasi e kishin kthyer shtëpinë e tyre në laborator droge.

“Laboratori” u kodua operacioni i policisë së Fierit, ku pasditen e së enjtes u finalizua operacioni antikanabis, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë djali me të ëmën, Anxhelo Kapaj, 22 vjeç dhe Qamile Kapaj, 48 vjeçe, banues në Mbrostar, Fier.

Gjithashtu u shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorë të tjerë, konkretisht kryefamiljari Aleksandër Kapaj, banues në Mbrostar, Fier, babai i Anxhelos dhe bashkëshorti i Qamiles.

Po ashtu u shpall në kërkim edhe bashkëpunëtori i tyre F.B., 33 vjeç, banues në Kosovë.

Katër të dyshuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kishin përshtatur ambientin e banesës së 53-vjeçarit Aleksandër Kapaj, me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 312 fidanë të dyshuar kanabis sativa, të kultivuara, pajisjet të cilat kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike si dhe një pajisje presimi, gërshërë etj.

Nga këqyrja në ambientet e jashtme të rrjetit elektrik, është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin e pajisjeve, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Në këtë kuadër u proceduan penalisht tre elektricistë, G.M., E.M. dhe B.Q., banues në Fier. Këta shtetas duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në banesën e Aleksandër Kapaj.

Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. /a.y/noa.al

Kthyen shtëpinë në laborator droge, dy të arrestuar në Fier, dy të tjerë në kërkim/ Emrat

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd