Transmetuar më 30-04-2020, 13:49

Kryeministri Edi Rama iu ka dërguar një email qytetarëve lidhur me përgatitjen për fazën 2 të emergjencës së koronavirusit.

Ai shkruan se “Teksa po hyjmë çdo ditë e më shumë në fazën 2 të përballjes me COVID-19, duke rihapur punën në gjithë sektorët e ekonomisë, si edhe zgjeruar hap pas hapi fashën orare të lëvizjes, qoftë për këmbësorët e qoftë për automjetet, sjellja jonë në raport me rregullat ka një rëndësi jetike”.

Kreu i qeverisë thotë se secili prej nesh duhet të bëjë me vetëdije të lartë detyrën karshi familjes dhe shoqërisë, në respektimin rigoroz të rregullave, për të mos lejuar zhbërjen e sakrificave të deritanishme dhe një kthim të dhimbshëm mbrapsht nëse armikut të padukshëm i hapen shtigje nga abuzimi me rregullat.

“Ju lutem mos harroni se kur dilni nga shtëpia, jeni nën shënjestrën e tij dhe lani duart shpesh, vendosni krahun para gojës kur teshtini, hapni sa më shumë dritaret. Mos ecni në këmbë me më shumë se sa një person tjetër në krah, mos krijoni asnjë grumbullim dhe ruani distancë 1.5 m nga tjetri në radhët e pazareve. Jini të vëmendshëm në vendin tuaj të punës dhe mos lëvizni me automjet me më shumë se një person tjetër brenda, diagonal me shoferin”, shkruan ai.

Më tej shton se pasojat ligjore të shkeljes së rregullave janë të rënda, por secili prej nesh duhet t’i respektojë këto rregulla, jo thjesht pse kështu thotë ligji, po mbi të gjitha sepse vetëm kështu ruan veten, familjen, popullin dhe vetë Shqipërinë nga e keqja e madhe, që deri tani e kemi shmangur me kaq sukses së bashku.

“Ne duhet e do ta fitojmë këtë luftë medoemos dhe do të dalim prej saj më të mirë dhe më të fortë! Së bashku! Më e mira do të bëhet, me durim, besim, solidaritet. Qofshi gjithnjë mirë familjarisht, Edi Rama”, thotë në mbyllje kreu i qeverisë. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd