
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi në seancën e sotme parlamentare, duke folur për situatën e koronavirusit, kërkoi që qytetarët të mos privohen nga të drejtat që iu jep ligji.
Ai deklaroi se masat e marra nga Qeveria dhe të mbështetura nga Kuvendi kanë ndikuar që situata e pandemisë së koronavuirusit në Shqipëri të jetë nën kontroll.
Kreu i Kuvendit shprehu disa mendime mbi strategjinë e daljes nga kjo pandemi, duke thënë se dalja nga pandemia nuk do të jetë një proces teknik i menjëhershëm, por një proces adaptiv, gradual dhe i kujdesshëm.
Sipas tij, duet të mbahet mirë parasysh se dalja nuk është një proces i pakthyeshëm.
“Strategjia e daljes duhet të bëjë kujdes që të mos cenojë dhe rëndojë më shumë mirëqenien e njerëzve, duke mbajtur parasysh parimin se ne nuk kemi të drejtë të privojmë qytetarët nga të drejtat që atyre u ka dhënë ligji. Ne nuk jemi zotër, por mbrojtës të interesave të qytetarëve. Barra e daljes duhet të jetë progresive: kush fiton më shumë, përballon më shumë, ndërsa grupet nevojtare të popullsisë, pensionistët apo përfituesit e programeve sociale duhet të vazhdojnë të mbështeten e të mbrohen”, u shpreh Ruçi.
Ai tha se strategjia e daljes duhet të garantojë harmonizmin e mbështetjes për bizneset, me qëllim që të shpëtojmë e rigjallërojmë tregjet, të nxisim prodhimin dhe të mbajmë në nivele optimale ofertën ekonomike.
Por nga ana tjetër, duhet të tregohet i njëjti kujdes për mbrojtjen e konsumit dhe mbijetesës së konsumatorëve, si një stimul edhe për vetë prodhimin dhe shërbimet tha Ruçi në fjalën e tij, teksa informoi për disa nga zhvillimet kryesore në veprimtarinë e Kuvendit javët e fundit, gjatë pandemisë. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





