
Administrata Trump po zhvillon hetime për OBSh dhe Kinën, të cilat i fajëson për menaxhimin e keq të përhapjes së koronavirusit.
“Ne nuk jemi të lumtur për këtë dhe ne jemi kontribuesi më i madh i OBSh. Ata na mashtruan”, tha Trump para gazetarëve gjatë një mbledhjeje me guvernatorin e Luizianës, shkruan Washington Times.
Presidenti ka udhëzuar agjencitë e inteligjencës amerikane që të shqyrtojnë nëse OBSh dhe Kina mbajnë informacione për pandeminë e koronavirusit që shpërtheu për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar.
Sa i përket hetimit, Trump tha: “Po fillon, unë kam marrë disa pjesë dhe nuk ka asgjë pozitive rreth asaj që ka ndodhur në Kinë”.
Presidenti i Amerikës theksoi se sëmundja mund të ishte ndaluar në vendin që shpërtheu, në Wuhan të Kinës. Administrata Trump beson se OBSh dhe Kina kanë fshehur sëmundjen, prandaj do të marrë masa për ta.
“Ata mund ta kishin ndaluar. Dhe përse Kina i lejonte avionët që të bënin udhëtime, por jo brenda Kinës? Fluturimet niseshin nga Wuhani në të gjithë botën. Ata shkonin drejt Italisë, për një kohë të gjatë shkuan drejt Italisë. Çfarë tregon e gjitha kjo? Ne nuk jemi të lumtur me këtë”, tha Trump.
Nuk dihet ende vendimi që do të marrë qeveria amerikane nëse këto prova vërtetohen./a.m/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





