Transmetuar më 29-04-2020, 15:59

Çështja e mandatit të Ardian Dvoranit në Gjykatën e Lartë është kthyer në vëmendje pasi edhe pse në Gjykatën e Lartë janë emëruar tre anëtarë të rinj, ai vazhdon të këmbëngulë për të mos lëshuar vendin e tij, thuajse shtatë vjet pasi i ka mbaruar mandati.

Disa ditë më parë, Presidenti Meta i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës së Lartë të shpallin mbarimin e mandatit të Dvoranit, por KLGJ në mënyrë të pashpjeguar i ka kërkuar mendim për këtë çështje Dvoranit para se të marrë një vendim. Opinioni i tij pritet t’i dërgohet KLGJ-së të mërkurën mbasdite.

Dispozitat kushtetuese tranzitore të reformës në drejtësi, parashikojnë se “anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët, të cilëve u mbaron mandati”, citon Exit.al.

Gjyqtarit Dvorani i ka mbaruar mbaruar mandati që prej vitit 2014, shumë më herët se të gjithë anëtarëve e tjerë të Gjykatës së Lartë, të cilët dhanë dorëheqjen apo u shkarkuan nga vetingu.

Në përputhje me përcaktime dhe frymën kushtetuese, vendi i tij duhet të ishte i pari për t’u zëvendësuar dhe Dvorani duhet të largohej që në momentin e emërimit të anëtarit të parë të ri të Gjykatës së Lartë.

Më 10 mars të këtij viti, u emëruan tre gjyqtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda.

Por në vend që të shpallte menjëherë mbarimin e mandatit të Dvoranit që më 10 mars, KLGJ-ja me një kërkesë të paargumentuar dhe të pabazuar në ligj apo standard ligjor, i kërkoi Dvoranit të shprehet në lidhje me mandatin e tij.

Nuk është e vështirë të mendohet se Dvorani do të kërkojë të ruajë mandatin e tij. Ai e ka mbajtur mandatin në shkelje me ligjin dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Mandati i tij mbaroi në vitin 2014 dhe Gjykata Kushtetuese ka një vendim që urdhëronte lëshimin e postit prej tij, por ai sërish nuk iu bind këtij vendimi, duke vendosur një rekord botëror për mbajtjen e mandatit 6 vjet pasi mbarimit të tij.

Ardian Dvorani e kaloi procesin e vetingut në rrethana të debatueshme, duke mos justifikuar qindra milionë lekë dhe me deklarime qesharake huash marramendëse nga familjarë.

Tashmë ai kërkon të qëndrojë në detyrë ende, ndoshta deri në plotësimin e të gjithë anëtarëve të Gjykatës së Lartë që do të kërkojë më shumë se një vit.

Ardian Dvorani nuk mund të shërbejë si gjyqtar pasi Ligji i Lustracionit ndalon ish-prokurorët e regjimit komunist të përfshirë në procese politike të shërbejnë në organet e sotme të drejtësisë. Dvorani ka qenë prokuror i një çështje ku disa qytetarë shkodranë u akuzuan për hedhjen e bustit të Stalinit, veprim për të cilin Zoti Dvorani i kërkoi trupit gjykues burgosjen e tyre.

Shumë i dyshimtë është vazhdimi i mbajtjes prej tij i detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, gjashtë vjet pasi i ka mbaruar mandati 9 vjeçar, dhe në kundërshtim me në vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke u justifikuar me boshllëqe ligjore. Në qershor të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese, me Vendimin Nr. 55, e shpalli antikushtetues atë pikë të ligjit që lejonte qëndrimin në detyrë pas mbarimit të mandatit të një anëtari të Gjykatës së Lartë derisa ai të zëvendësohej. Por ky vendim u botua në Fletoren Zyrtare, dy ditë pasi hynë në fuqi ndryshimet kushtetuese.

Gjyqtari Dvorani duhet të ishte shkarkuar për një sërë parregullsish në deklarimin e pasurisë së tij. Në vetë deklarimin për vetingun më 31.01.2017, Dvorani dhe familjarët e tij—bashkëshortja, djali dhe prindërit—nuk kanë deklaruar një shumë prej 9,9 milionë lekë (afërsisht 80 mijë euro) në llogaritë e tyre bankare. Ndërkohë komisioni i vetingut vendosi ta konfirmojë me pretendimin se Dvorani nuk kishte qëllim fshehjen e pasurisë.

Vendimi i KPK-së, mbajti kështu në detyrë një gjyqtar që nuk duhet të kishte qenë asnjë ditë gjyqtar, por që vazhdon edhe shtatë vjet pasi i ka mbaruar mandati.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd