Ka dalë sot para Gjykatës së Lezhës, Aleksandër Përdodaj, autori i dyshuar për vrasjen e ndodhur pasditen e së hënës, ku u ekzekutuan me armë zjarri rapsodi i njohur Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni.
Përdodaj është lënë në “arrest me burg” gjatë masës së sigurisë të vendosur ditën e sotme, ndërkohë që duke folur në gjykatë ka mohuar të ketë pasur gisht në krim.
Ai ka pranuar konfliktet me Simonin, por ka thënë se çështjen mes tyre e kishin zgjidhur.
Ndërsa për rapsodin Murrani ka thënë se e kishte mik dhe nuk ka pasur asnjë arsye për ta vrarë.
Ai ka pohuar se ka qenë në fshatin Lalm atë ditë, pasi ka shtëpinë dhe bagëtitë, por se në orën 10.00 të paradites ka zbritur në Lezhë.
Po ashtu Përdodaj ka thënë se lajmin e vrasjes së dyfishtë e ka mësuar në televizor pasdite.
“Nuk kam pasur dijeni për ngjarjen, gjithçka e mësova në orën 16.00. Kam pasur konflikt me Preng Simoni tetë muaj më parë, por që e kishim zgjidhur. U u morëm vesh me njëri tjetrin. Murranin e kam pasur lidhje miqësore, nuk kisha se si ta vrisja”, tha Përdodaj.
Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe vëllai i autorit të dyshuar, E. Përdoda, i cili dyshohet se ka ndihmuar të vëllanë për fshehjen e provave.
Nga tërësia e veprimeve dyshohet se Aleksandër Përdodaj ka qëlluar me armë për arsye pronësie, pasi pretendon se pjesa ku ka ndodhur krimi është pronë e tij. /a.y/noa.al