Transmetuar më 28-04-2020, 00:04

Ka arritur në tre milionë numri i njerëzve të infektuar me koronavirus në të gjithë botën, ku një e treta e tyre janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa tjetër, më së shumti në Europë, kryesisht vendet e pasura të Bashkimit Europian. Të dhënat e universitetit John Hopkins konfirmuan sot shifrën 3 milionë. Por më herët, mëngjesin e së hënës, kjo shifër ishte tejkaluar në përditësimin e Worldometer.

Pandemia nisi me rastin e parë të regjistruar zyrtarisht më 29 dhjetor 2019 në Vuhan të Kinës dhe u përhap në këtë provincë të Hubei gjatë janarit. Në shkurt, epidemia përfshiu Europën, duke nisur me Italinë dhe në prag të fillim-marsit, depërtoi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shifrat e të infektuarve dhe viktimave në javët e para ishin me rritje të ngadaltë, por në muajin mars çdo gjë u përmbys dhe, në 2 prill, u regjistruan një milion të infektuar. Kaluan vetëm afro 15 ditë që të arrinte në dy milionë, numri i të prekurve. Dhe nga 15 prilli kanë kaluar vetëm 11 ditë dhe arriti në 3 milionë numri i njerëzve të infektuar.

Prilli shënoi kulmin e pandemisë, duke bërë që të regjistrohen deri në 100 mijë raste njerëzish të infektuar çdo ditë.

Këtë të diel 26 prill, u regjistrua numri më i ulët i njerëzve të evidentuar me koronavirus, rreth 73 mijë vetë. Po ashtu u regjistruar dhe numri më i ulët i viktimave. Ndërsa javët e fundit arrinin midis 5 mijë deri më shumë se 8 mijë të vdekur në ditë, gjatë kësaj të diele u raportuan 3.751 të vdekur ose më pak se gjysma e jetëve të humbura një ditë më parë.

Deri mesnatën e së hënës duke hyrë 29 prilli, janë konfirmuar 211.141 njerëz të vdekur në të gjithë botën, pjesa më e madhe të moshës së thyer.

Më 2 prill ishin regjistruar 51 mijë njerëz të vdekur. Kurse më 15 prill vdekjet arritën në 126 mijë me një rritje 2.5 herë krahasuar me më pak se dy javë më herët.

Aktualisht ka një reduktim të shifrave dhe për 11 ditë, është regjistruar më pak se dyfishi i shifrave të 15 prillit.

Aktualisht në të gjithë botën gjenden 56 mijë njerëz nën terapi intensive.

Sakaq rezultojnë të shëruar rreth 920 mijë njerëz të infektuar në të gjithë botën.

Por ndërsa kriza shëndetësore në Evropën Perëndimore po përmirësohet, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se në vendet e Afrikës, Evropës Lindore dhe Amerikës Qendrore, pandemia është ende në fillimet e saj. e.i/noa.al/