Transmetuar më 24-04-2020, 20:29

Historia e Bajram Tushës sa vjen e bëhet edhe më paradoksale, pasi prindërit e të miturës, thanë sot se donin që vajza t’i tërheqë akuzat ndaj plakut të akuzuar si pedofil.

Bajram Tusha në sallën e gjyqit ka mohuar akuzat pasi mbërriti sot në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë: "Shkoj në burg vetëm për shkak se unë këtë familje e kam ndihmuar", – ka thënë ai.

Ai ka mohuar të ketë abuzuar seksualisht me adoleshenten, ndërkohë që kjo e fundit këmbëngul se është detyruar t’i jepet fizikisht atij, që kur ishte vetëm 9 vjeçe. I dyshuari tha se kishte bërë seks me vajzën, por me dëshirën, madje me provokimin e saj.

Prokuroria përfaqësohej nga Alba Dhima dhe Elidon Hysenaj, gjyqtare Suela Xhani. Ajo ka kërkuar burg pa afat në bazë të denoncimit të 17 vjeçares dhe të dashurit të saj. Por në dosje është depozituar edhe një përgjim ambiental gjatë momentit të ballafaqimit midis 17 vjeçares dhe Bajram Tushës. Nga biseda që zhvillohet mes tyre, i moshuari i kërkon vajzës 17-vjeçare që të tërhiqet nga dëshmia e parë dhe t’u tregojë hetuesve një version tjetër, me qëllim mohimin e gjithçkaje. Kjo bisedë e përgjuar tashmë është një provë e rëndësishme në dosjen e prokurorisë e cila ka zyrtarizuar akuzën për “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur.”

Gjykata e pranoi kërkesën e prokurorisë. Por paralelisht, prindërit e 17-vjeçares kërkojnë lirimin e 72-vjeçarit duke pohuar siç shihni videon më poshtë, se i kanë kërkuar vajzës të tërheqë denoncimin dhe duke pretenduar se "vajzën na e kanë droguar". Nga ana tjetër, prindërit hodhën akuzë të fortë duke thënë se të bijën e kishin çuar në Durrës, pa e ditur se si ajo kishte përfunduar atje dhe se do ta nisnin me skaf për prostitutë në Itali.

Abuzim seksual prej 8 vitesh?

72-vjeçari Bajram Tusha, gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se kishte kryer marrëdhënie seksuale, me vajzën ende në moshë të mitur. Madje ai tha se ajo, që prej moshës 9 vjeçare vinte dhe e ndihmonte në banesën e tij. Sipas tij, e mitura vetë e kishte provokuar duke u zhveshur para tij herë pas here.

Tre meshkuj të tjerë nën akuzë për përdhunim

E ndërkohë, dosja hetimore që bën fjalë për abuzimin seksual të vajzës 17-vjeçare në qytetin e Sarandës, ka marrë një rrjedhë tjetër, pasi e mitura ka treguar dhe tre emra të tjerë që sipas saj kanë abuzuar seksualisht me të. Të tre emrat e burrave janë fqinjët e saj, të cilët mësohet se janë shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë Sarandë dhe janë marrë në pyetje.

Tre meshkujt refuzuan të pranojnë se kishin kryer marrëdhënie seksuale me të miturën. Policia, tha se nuk ndërmori masë arresti ndaj tyre, pasi është vetëm fjala e vajzës dhe ajo nuk mjafton sa kohë nuk ka prova. "Nuk mund t’ia provojmë akuzat të tre personave që vajza i përmend në dëshmi dhe tregon se edhe ata kanë abuzuar seksualisht me të. Kemi përplasje thëniesh nga të dyja palët, por nuk kemi asnjë provë tjetër që të mbështesë pohimet e vajzës. Ndaj dhe nuk jemi nxituar të marrim masa për ndalimin e tyre. Kemi kryer analizimin e aparateve telefonike të tre persona dhe vajzës së mitur, por nuk kemi gjetur shenja të komunikimit mes tyre", – tha një burim pranë policisë së Sarandës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd