Transmetuar më 24-04-2020, 12:10

“Një lajm i keq nga testimet e djeshme, që duhet të vlejë si mësim për të gjithë”. Kështu shkruan Kryeministri Edi Rama, referuar dy nga 15 rasteve të reja të orëve të fundit, të konfirmuar me koronavirus në rrethin e Mirditës.

Ai bën me dije se djali me Covid-19, pa simptoma, thyen rregullin e del nga Tirana drejt një zone tjetër të vendit, ku jetojnë dy prindërit e tij të moshuar, u shkon prindërve në shtëpi dhe u transmeton “bombat” në trup.

Prindërit dalin të dy pozitivë dhe jo vetëm mosha, po edhe shëndeti i tyre problematik, i kthen në pacientë me jetën në rrezik.

“Natyrisht që për djalin do të nisin hetimet dhe ai mund të ndëshkohet jo vetëm administrativisht, po edhe penalisht, por si mund t’u bëhet një “peshqesh” i tillë njerëzve më të dashur në botë?! A e kuptoni se kjo nuk është lojë?! A e kuptoni se në këtë luftë, kush shkel rregullat nuk ia hedh shtetit, po ia fut vetes dhe familjes së tij?! A e kuptoni se ne jemi potencialisht armiku vrastar i prindërve tanë, nëse nuk respektojmë rregullat, duke u sjellë si karagjozë të papërgjegjshëm me veten, me prindërit, me familjen e me shoqërinë?!”, shkruan Rama.

Ai thotë se lut Zotin që ata dy pleq të mos ikin nga kjo botë e të mos mbeten pishmani i jetës së atij djali të papërgjegjshëm dhe ju lutet të gjithëve: “Mos! Mos! Mos! Stop me hilet e me karagjozllëqet, sepse mund të bëheni mos o Zot, vrasës të njerëzve tuaj më të shtrenjtë”. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd