
Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka njoftuar ditën e sotme (e enjte) se ka pranuar kërkesën dhe është urdhëruar që t’i bëhet testi për koronavirusin, për ish-Nëndrejtorin e Spitalit të Sarandës, Florenc Llanaj. Pas kryerjes së tamponit, Llanaj ka rezultuar pozitiv për koronavirus.
Më 3 prill, përmes avokatit të tij Arbër Hoxha, Llanaj i ishte drejtuar Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” pasi siç tha, duhet të vendosë lente duke prekur sytë, për shkak të problemeve me shikimin, dhe rrezikon që në qeli të marrë koronavirusin, duke qenë se ai ngjitet edhe përmes kontaktit.
Gjykata e Posaçme pranon se ka patur mjaft kërkesa për ndryshimin e masave të sigurisë dhe se janë pranuar ato që kanë patur probleme shëndetësore. Për raste të tjera, kjo gjykatë thotë se pritet përgjigje nga instancat mjekësore.
Llanaj ishte arrestuar para pak ditësh në kuadër të një operacioni antidrogë nën dyshimet e përfshirjes së tij në trafik lëndësh narkotike.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





