Transmetuar më 23-04-2020, 09:34

Një operacion i policisë së Vlorës i koduar “Përpunimi” ka vënë në pranga një person, të kapur me 23 kilogramë lëndë narkotike, e përpunuar në formë pluhuri dhe çokollate si dhe një shumë të konsiderueshme parash.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, pasditen e së mërkurës u bë arrestimi në flagrancë i Avni Bitaj, 44 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 44-vjeçarit, në lagjen “24 Maji”, u gjet një sasi lënde narkotike, rreth 23 kilogramë kanabis sativa, e përpunuar në formë pluhuri dhe çokollate, si dhe një pajisje prerëse metalike, e cila ka shërbyer për përpunimin e lëndës narkotike.

Gjithashtu, po gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi prej 2500 eurosh, të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktiviteti kriminal në lidhje me pazaret e shitblerjes së lëndës narkotike.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Ndaj të dyshuarit për ndjekje të mëtejshme, materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd