


Infeksioni i shkaktuar nga Covid-19 jo vetëm që sulmon mushkëritë, por edhe zemrën, enët e gjakut, veshkat, aparatin tretës, sytë dhe trurin. Është një sëmundje sistemike që prek të gjithë organizmin. Siç raporton revista shkencore ‘Science’, virusi vepron ndryshe në dallim me çdo patogjen tjetër që është parë ndonjëherë deri më tani. Le të shohim si…
Virusi e nis udhëtimin e tij duke hyrë në fyt dhe hundë, ku gjen një mjedis mikpritës në kanalin e hundës. Sipërfaqja e qelizave të saj në fakt është e pasur me receptorin Ace2, të cilin e përdor për të hyrë brenda qelizës.
Pasi hyn brenda, virusi SarsCov2 e shkatërron atë, duke bërë një mori kopjesh të vetes dhe duke pushtuar qelizat e tjera.
Kur virusi shumëfishohet, një person i infektuar mund ta përhapë atë, duke mbetur asimptomatik ose të fillojë të ketë ethe, kollë të thatë, dhimbje të fytit, humbje të shijes dhe aromës, dhimbje trupi dhe koke.
Nëse sistemi imunitar nuk është në gjendje ta refuzojë atë qysh në fazën e hershme, ai sulmon mushkëritë duke shkaktuar pneumoni.
Tek njerëz të tjerë, gjërat papritur mund të përkeqësohen dhe mund të zhvillohet ajo që quhet sindromë akute e stresit të frymëmarrjes, ku niveli i oksigjenit në gjak bie dhe frymëmarrja bëhet gjithnjë e më e vështirë, duke çuar shpesh drejt vdekjes.
Disa mendojnë se është një hipereaksion i sistemit imunitar, i quajtur “stuhi e citokinës” (molekula që drejtojnë një reagim të shëndetshëm imunitar, por në këtë rast e bëjnë më shumë sesa është e nevojshme duke sulmuar pjesët e shëndetshme). Enët e gjakut kështu fillojnë që të kenë rrjedhje, presioni bie, krijohen mpiksje gjaku dhe organi mund të pësojë kolaps.
Enët e gjakut dhe zemra – Siç tregon rasti i një gruaje nga Brescia në itali, e shtruar në spital me simptomat klasike të infarktit, të shkaktuara nga Covid-19, nuk kursehen as enët e gjakut dhe zemra. Dëmi shtrihet edhe në gjak me koagulim dhe aritmi. Po ashtu raportohen ishemi në gishtat e këmbëve, dhimbje dhe nekrozë e indeve.
Veshkat– Virusi shkakton edhe dëme në veshka, gjë që raportohet në 72% të pacientëve, sipas një studimi të kryer në Wuhan të Kinës, shkruan noa.al. Problemet në veshka mund të jenë gjithashtu dëmtime kolaterale të ventilatorëve të përdorur tek pacientët apo prej një antivirali që po testohet tani tek ta, remdesivir, ose edhe prej diabetit.
Truri dhe sistemi nervor qendror – Covid-19 gjithashtu prek trurin dhe sistemin nervor qendror. Tek pacientët e shtruar janë konstatuar encefalite, kriza epileptike, humbja e vetëdijes, mungesë nuhatje ose iktus.
Aparati tretës, sytë dhe mëlçia – Të tjera fronte që goditen, ku receptorët Ace2 janë të bollshëm, janë aparati tretës, ku shumica e pacientëve shfaqin diarre, sytë dhe mëlçia, ku gjithashtu shfaqen probleme. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





