Transmetuar më 21-04-2020, 18:01

Nga java që vjen, hapet transporti ndërqytetas për shërbimin taksi dhe zgjatet orari i pazarit.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama pasditen e sotme, duke njoftuar se armiku i padukshëm nuk zhduket deri sa të dalë vaksina dhe se hapja do të bëhet graduale.

Ai tha se e di që qytetarët janë lodhur dhe mërzitur me autorizimet dhe në këtë drejtim njoftoi lehtësitë e reja në kushtet e emergjencës së koronavirusit.

“Javën e ardhme do ta rrisim daljen në pazar do ta hapim shërbimin ndërqytetas me taksi. Në 4 maj do ta lehtësojmë shumë lëvizjen dhe do të lëviz edhe ata me makina private.  Do të hapim bllokun e tretë të bizneseve që dalëngadalë do të kthehemi në punë. Duhet ta ngulisim në mendje që të gjithë që hapja do të ketë rregulla dhe prandaj bizneset që ta marrin lejen ne e-albania dhe ta respektojnë protokollin e sigurisë”, tha kreu i qeverisë.

Po ashtu duke nisur nga 4 maji, do të lehtësohet edhe lëvizja brenda qyteteve.

“Ky lehtësim do të bëhet qoftë me këmbë, qoftë me makinë madje pa e kufizuar tek makinat që duan të shkojnë në punë dhe po ashtu do hapim dhe bllokun tretë të bizneseve. Duhet ta ndajmë mendjen kushedi se për sa kohë do të kthehemi në normalitetin që kishim para se të hynim në këtë gjendje të jashtëzakonshme dhe për ta mbrojtur realitetin e ri, duhet të ndjekim një sjellje të re, duke respektuar të gjithë ato kushte dhe rregulla.”, u shpreh Rama. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd