Transmetuar më 21-04-2020, 12:40

Presidenti Ilir Meta i ka bërë sërish thirrje qeverisë që të tërhiqet dhe të rishikojë paketën “Anti-shpifje”. Meta mbështet organizatën botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij” që thonë se paketa do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri.

Meta i bën edhe njëherë thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën e ligjeve të miratuara, që siç tërheq vëmendjen organizata botërore e gazetarëve, dhe ashtu siç ka paralajmëruar:

– Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik;

– Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit;

– Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

– Shkel standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

Shqetësimi i “Reporterëve pa kufij” se përdorimi i fatkeqësisë së tërmetit, dhe të pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19 nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias, kërkon reflektim serioz dhe të përgjegjshëm”, thuhet në reagim.

Meta nuk heziton të falenderojë gazetarët për punën e palodhur duke raportuar cdo ditë për situatën e koronavirusit dhe përsërit thirrjen për të mos i braktistur në këto momente.

“Duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjithë gazetarët, veçanërisht ata të cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik, theksoj se regresi në drejtim të lirisë dhe pavarësisë së medias është i papranueshëm dhe tepër i dëmshëm për vendin tonë, aspirant për anëtar të Bashkimit Europian”, përfundon Meta./a.m/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd