Transmetuar më 19-04-2020, 21:13

Në faqen e AKSHI, e-Albania, u publikua dje lista e bizneseve të lejuara për të rinisur nga e hëna aktivitetin pas më shumë se 40 ditësh ndërprerje.

Nisur nga njoftimi publik që përcollën dhe mediat, bizneset që i përkasin listës kanë nisur marrjen e masave për rihapjen dhe kanë njoftuar përmes rrjeteve sociale, rifillimin e shërbimeve të tyre.

Por pasditen e së dielës, këtë "vrull" e ka ndalur kryeministri Edi Rama duke deklaruar se shpallja nga institucioni në varësi të tij, e listës së bizneseve që rihapen, është e pavlefshme për zbatim. E gjitha kjo, sepse z.Rama kërkon të pajisë me leje për ushtrim aktiviteti, çdo dyqan a biznes tjetër që rihapet javën e ardhshme.

Ekspertët thonë se të kërkosh pajisjen nga AKSHI, të lejes për ushtrim aktiveteti, është e palogjikshme pasi nuk bëhet fjalë për hapje biznesi të ri, por rihapje qepenësh pasi u mbyllën me urdhër qeverie në përpjekje për të frenuar përhapjen e njëkohshme të koronavirusit që të mos kishte dyndje në spitale.

Në këto kushte, konsiderohet absurde të kërkosh leje për ushtrim aktiviteti kur kjo leje është dhënë për hapjen e biznesit që kur ai është regjistruar.

Megjithatë, Rama është i prerë në paralajmërimin e tij duke deklaruar sonte në faqen personale në Facebook se hapja në fillimjavë e dyqaneve joushqimore është "hap i nxituar në kundërshtim me ligjin".

Sipas tij, "bizneset e lejuara, duhet të kërkojnë pajisjen me leje për ushtrim aktiviteti dhe çdo biznes duhet ta disponojë nga e marta e tutje për ushtrimin e veprimtarisë së tij ".

Në postimin e tij në Facebook, z.Rama flet për një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë mbi këtë procedurë që përmendi. Noa.al kërkoi një kopje të këtij urdhri nga kjo ministri. Zëdhënësja Etiola Kola, nuk ktheu përgjigje për kërkesën për informacion. /noa.al/

Klikoni këtu për listën e plotë të aktiviteteve të hapura.

Klikoni këtu për masat dhe protokollet që duhet të zbatojnë bizneset.

🔴 KUJDES! 🔴 KONSTATOJMË SE KA DYQANE JOUSHQIMORE QË LAJMËROJNË HAPJE PËR NESËR! HAP I NXITUAR NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN…

Publiée par Edi Rama sur Dimanche 19 avril 2020