Transmetuar më 19-04-2020, 10:26

Dy persona qëllojnë me armë zjarri automatik, duke krijuar panik te banorët në një fshat të Shkodrës.

Pas njoftimit të marrë pasditen e djeshme, se në fshatin Kuç të Njësisë Administrative Gur i Zi, në një livadh kishte të shtëna me armë zjarri, u organizua operacioni i koduar “Livadhi”.

Në kuadër të tij u bë i mundur identifikimi në kohë reale i dy personave që kishin qëlluar me armë, gjetja e armës, si dhe kapja e arrestimi i tyre.

Bëhet fjalë për L. A., 18 vjeç dhe K. G., 19 vjeç, të dy banues në qytetin e Shkodrës.

Nga hetimet intensive si dhe informacionet e marra në rrugë operative, u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit tip kallashnikov, të cilën e kishin fshehur në një livadh në afërsi të lumit Drin.

Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesave të të dyshuarve, ku në banesën e K. G., shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, dy karikatorë automatiku me fishekë dhe 410 fishekë luftarakë.

Ndërsa në banesën e L. A., policia gjeti një palë pranga dhe një shkop metalik me hapje, si ato që përdorin forcat e rendit.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd