
Mbretëresha Elizabeth, në Britaninë e Madhe, nuk do ta festojë 94-vjetorin e saj të lindjes sipas ceremonisë së zakonshme, për shkak të situatës që vendi i saj po kalon nga koronavirusi.
Mediat britanike, që i referohen gazetarit të ITV, Chris Ship, shkruajnë se ajo ka kërkuar që të mos organizohen përshëndetje me armë për të festuar ditëlindjen e saj të marten më 21 prill.
Kjo do të ishte hera e parë që mbretëresha bën një kërkesë të tillë gjatë mbretërimit të saj 68-vjeçar.
“Madhëria e saj ka kërkuar që të mos ketë masa speciale për të lejuar përshëndetjet me armë, pasi ajo nuk e ndjen këtë të përshtatshme në rrethanat aktuale,”-shkruan Chris Ship në Twitter, që i referohet burimeve nga Pallati Mbretëror.
Më datë 5 të këtij muaji, mbretëresha Elizabeth mbajti një fjalim televiziv, ku përshëndeti punonjësit mjekësorë, si heronj të shpëtimit të jetëve si dhe falenderoi familjet për respektimin e udhëzimeve të qëndrimit në shtëpi për të respektuar distancimin social për shkak të koronavirusit.
Në këtë fjalim, mbretëresha u shpreh se “ditë më të mira na presin përpara”.
Kujtojmë që Britania e Madhe ka shënuar mbi 15 mijë viktima nga koronavirusi./a.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





