Transmetuar më 18-04-2020, 15:26

Testimi i ri serologjik i ekipit mjekësor dhe strukturave të policisë do të fillojë javën tjetër. Në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë siguruar aktualisht 6 mijë teste, që janë të disponueshme.

E gjithë struktura e laboratorit e çertifikuar dhe është e ngritur për të filluar këtë testim të ri.

Gjatë inspektimit të laboratorit mikrobiologjik të QSUT-së, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e bëri të ditur duke thënë:

“Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, ka vendosur që të përfshijë një testim të ri, që është testimi serologjik, i cili do të nisë pikërisht nga grupet e rrezikuara, siç janë mjekët, por edhe strukturat e policisë. Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri”.

Testimi i ri do të kryhet për konfirmimin e diagnozës dhe vlerësimin e imunizimit. Duke theksuar se testimi serologjik do të kryhet në QSUT por nën lidershipin e Instutit të Shëndetit Publik, Manastirliu tha se mbetet prioritet mbrojtja e personelit shëndetësor.

“Dua të them që mbetet prioritet për ne mbështetja dhe mbrojtja e stafit tonë të shëndetësisë. Prandaj dhe ky testim serologjik për të vlerësuar krijimin e antitrupave do të fillojë në grupet më të riskuara që janë personeli mjekësor dhe gjithashtu grupet që janë në shërbime siç janë policia e shteti e të tjerë”, tha ministrja.

Mjekja Vjollca Duro u shpreh se laboratori i QSUT është i ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe stafi që do të punojë është i trajnuar.

“Laboratori i QSUT është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare, niveli i dytë i biosigurisë. Stafi është i trajnuar, do të punojnë tre mjekë dhe katër staf teknik laborator”, tha Vjollca Duro.

Laboratori i QSUT, në një fazë të dytë, do të shërbejë edhe për testimin e kampioneve të dyshuara për COVID-19, me metodën e biologjisë molekular të Real-Time PCR.

Çfarë janë testet serologjike

Testet serologjike ose antitrupat mund të dëshmojnë nëse një person që ka qenë i infektuar me koronavirus në të kaluarën dhe nuk ka shfaqur shenja të sëmundjes ose është shëruar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd