
Sot do të kthehen shqiptarët e mbetur në Itali dhe Turqi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Fluturimet e para nga Roma dhe Stambolli do të vijojnë sot dhe nesër për të gjithë personat që duan të kthehen në atdhe.
Çdo udhëtar që do të zbresë në aeroportin e Rinasit është i detyruar të qëndrojë në një nga hotelet e Durrësit për 14 ditë për të kuptuar nëse ka raste të importuara me infeksionin Covid-19.
Sipas ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sot do të kryhen udhëtimet Stamboll-Tiranë, më pas Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë. Ndërsa nesër në datën 19 prill, do të kryhen fluturimet Tiranë-Milano dhe Milano-Tiranë. Në ditët në vijim, janë parashikuar fluturime riatdhesimi edhe nga Bari, Frankfurti, Parisi dhe Londra.
Procedura e rezervimit bëhet në faqen e Air Albania duke ndjekur hapat e mëposhtëm:
1.Në seksionin Udhëzim për Riatdhesimet në të cilin do të gjeni linkun për rezervimin e hotelit ku do të kalohet karantinimi sipas protokollit të sigurisë të hartuar nga Qeveria Shqiptare.
2.Pasi të pranohen kushtet e karantinimit, vijohet me rezervimin e hotelit.
3.Pasi të kryhet pagesa e hotelit, ju do të merrni një faturë automatike të rezervimit të cilën duhet ta ruani deri në fund të udhëtimit.
4.Në një email të dytë nga sistemi I hotelit, ju do të pajiseni me një Kod Promocional unik, me anë të të cilit do të mund të kryeni rezervimin e biletës së avionit. Ritheksojmë se ky kod është I domosdoshëm për të finalizuar rezervimin e biletës.
5.Kod promocional unik mund të përdoret vetëm nga një person I rritur ose nga një fëmijë mbi 2 vjeç. I vetmi rast kur ky kod mund të përdoret nga dy persona është për fëmijët nën moshën 2 vjeç.
6.Pasi të realizohet me sukses rezervimi dhe pagesa e biletës, ju do të merrni me email biletën tuaj.
7.Përpara udhëtimit, në pikën e check in, është e nevojshme të firmosni formularin me kushtet e karantinimit, për të vazhduar më tej me udhëtimin tuaj të rikthimit në atdhe.
Për më shumë informacion ju mund të kontaktoni Call Center në +355 4 22 46 000 ose me email në [email protected]
Gjithashtu për të gjithë ata shtetas të huaj apo Shqiptarë, të cilët plotësojnë kushtet aktuale për të udhëtuar drejt Italisë të pajisur me pasaportë të huaj apo leje pune/leje qëndrimi mund të kontaktojnë Call Center në +355 4 22 46 000 për të marrë informacionin e nevojshëm./Noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





