
Dy studente kineze janë sulmuar fizikisht jashtë një marketi në Australi për shkak të koronavirusit.
Pamjet që janë publikuar në internet tregojnë studentet që përballen me dy gra në Melbourne, ku nuk mungojnë goditjet e forta. Ato kanë folur për “Nine News” duke rrëfyer ngjarjen që ndodhi të mërkurën duke thënë:
“Ajo filloi duke thënë ‘Dil nga vendi ynë, ti nuk i përket këtij vendi’. Jam shumë e frikësuar se ata mendojnë që është normale t’ia bësh këtë njerëzve të tjerë.”
Falë ndërhyrjes së një burri, sherri që po ndodhte në mes të rrugës mori fund dhe të dyja studentet pësuan dëmtime të lehta, të parrezikshme për jetën.
Gjatë sulmit, kufjet e njërës prej vajzave u vodhën nga një person që ishte aty pranë, por nuk u përfshi në konflikt. Policia e Victorias ka nisur hetimet për këtë ngjarje.
Nuk është hera e parë që kinezët sulmohen në vende të ndryshme të botës ku akuzohen se janë fajtorë për përhapjen e koronavirusit që shpërtheu për herë të parë vitin e kaluar në Wuhan./a.m/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





