Transmetuar më 17-04-2020, 15:44

Një infermiere nga Nju Jorku që e luftoi koronavirusin është sulmuar nga 15 persona gjatë rrugës për në punë. Prej dy javësh kishte qëndruar në shtëpi për tu shëruar nga sëmundja dhe kur po rikthehej në detyrë u përball me sulmin e tmerrshëm.

Ata e rrëzuan në tokë 60-vjeçare Martha Toscano dhe ia mbathën portofolin e saj. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës kur sapo kishte zbritur nga treni dhe po shkonte për në punë, në spitalin Bellevue.

Duke folur për New  York Post, Martha tha: “Unë mendova se ata do më vrasin. Më goditën në kokë dhe në fytyrë. Unë u rrëzova në tokë dhe ata vazhdonin të më godisnin.”

Sulmi u ndërpre nga tre burra që po kalonin aty pranë dhe nxituan ta shpëtonin pasi dëgjuan ulërimat e saj.

“Faleminderit Zotit erdhën ata ëngjëj sepse nuk ishte askush në rrugë, askush”, thotë ajo. Martha mbeti me dhimbje në qafë, në kurriz dhe disa shenja në fytyrë që i trajtoi në spital.

Kur do të kthehej në shtëpi, u detyrua që të telefononte pronarin e shtëpisë pasi hajdutët i vodhën çelësat, kartën e identitetit dhe të gjitha kartat e kreditit që mbante në portofol./a.m/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd