Transmetuar më 17-04-2020, 15:26

Një emigrant që dëshiron të kthehet në Shqipëri ka shpjeguar se në formularin e riatdhesimit i thuhet se janë zënë të gjitha dhomat teket në hotelet e Durrësit.

Për këtë arsye, ai duhet të reverzojë një dhomë me katër shtretër duke paguar 28 euro në ditë. Përveç kësaj, i kërkohet që të paguajë katër bileta duke u bazuar tek shtretërit që ka dhoma e hotelit.

Emigranti nga Roma që telefonoi Report Tv duke zgjedhur të qëndrojë anonim tha:  “Unë udhëtoj vetëm. Dhomat teke, dyshe e treshe janë të gjitha të zëna, kështu që pranova të prenotoj një dhomë katërshe. Por, kur kalova tek faza e prenotimit të fluturimit online, sipas kërkesave të qeverisë, në sajtin e Air Albania-s më kërkojnë të blej 4 bileta, aq sa janë shtretërit e prenotuar. Telefonova dhe më konfirmuan se kjo është procedura dhe ata nuk mund të bëjnë asgjë: prenotova një dhomë katërshe, kështu që duhet të paguaj 4 bileta avioni”.

Në rastet kur prenotohen 4 bileta dhe fluturon vetëm një person, sipas emigrantit, kompania kërkon që të shkruhet i njëjti emër katër herë. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare që e konfirmon një rast të tillë dhe funksionimin e sistemit në këtë mënyrë.

Ndërkohë, fluturimet nga Roma do të nisin këtë të shtunë dhe të gjithë personat do të akomodohen për 14 ditë në hotelet e Durrësit./a.m/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd