
Gjatë 24 orëve të fundit në Shkodër janë testuar disa dhjetëra njerëz dhe kanë rezultuar edhe 12 raste të reja me COVID 19. Sipas burimeve, e prekur ka rezultuar dhe një infermiere e Reanimacionit të Spitalit të Shkodrës si dhe një pacient në repartin e Infektivit në këtë spital.
Lidhur me këtë zhvillim sot në Shkodër, ka folur edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli: "Unë do të isha e shqetësuar nëse ato 12 raste që kanë dalë sot pozitivë, do të kishin qenë njerëz që do të shkonin në spital se ishin të sëmurë. Ata janë asimptomatikë. Duke u nisur nga kjo, mendoj se strategjia jonë e testimeve ka qenë e arsyeshme”.
Gjithashtu një rast i ri, jo kontakt, është testuar dhe në Kryebushat të Bashkisë së Vau Dejësit.
Në Shkodër deri më tani numërohen 88 të infektuar me virusin COVID 19.
Në të gjithë vendin kanë humbur betejën me koronavirusin 26 persona dhe janë prekur gjithsej 518 persona.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





