Transmetuar më 16-04-2020, 15:32

Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), Eugena Tomini, paralajmëroi sot se koronavirusi pritet të na ndjekë nga pas edhe gjatë verës që po afron, kurse shtoi se masat kufizuese drastike që po aplikohen, do të lehtësohen gradualisht muajin e ardhshëm. Po ashtu ajo sugjeroi se në vjeshtë mund të ketë në rikthim shqetësues të Covid-19.

“Ne japim rekomandim për lehtësim apo shtrëngim të masave… Mund të themi që deri në fund të majit do mund të kemi një liri më ndryshe. Parashikimet flasin se nga fundi i majit mund të ketë lirshmëri në një shkallë më të gjerë”, tha zonja Tomini, duke u ndalur më pas te vijimësia e virusit në verë dhe vjeshtë:

"Prezenca e Covid-19 do të jetë edhe gjatë sezonit të verës, por një rikthim si çdo infeksion tjetër respirator, pritet në vjeshtë. Sepse në vjeshtë sërish këto infeksione riaktivizohen, e duke mos pasur një vaksinë, apo mbrojtje, sigurisht që prezenca e Covid-19 do të jetë paralelisht me bashkëjetesën tonë, deri kur të kemi një mjet për parandalimin e tij e kur imuniteti i popullatës të jetë fuqizuar”, – vijoi Tomini në intervistë televizive.

Virusi do të bashkëjetojë me ne derisa të arrihet imunizimi i popullatës dhe të sigurohet vaksina, – sugjeron Tomini. Sipas saj, ISHP mbetet në pritje që 60 për qind e popullatës të imunizohet sepse “vetëm atëherë do të mund të themi që Covid-19 nuk do jetë më rrezik për shqiptarët dhe mbarë botën". /noa.al/

Në intervistën për Neës24, zonja Tomini foli edhe për pikun e virusit ndërkohë që jemi në javën e gjashtë të karantinës së paprecedentë. Sipas saj, piku ka kaluar: “Java e katërt ose e pestë përkonte me pikun e virusit. Jemi në situatë të rrafshtë me një intensitet ritmik dhe të qëndrueshëm. Kjo situatë e gjeti përballjen e shëndetësisë nga 83 pacientë që patëm në mars sot flasim për 43 pacientë në total. Shpresojmë të kemi edhe në javët në vijim trendin aktual”, – tha Tomini duke shtuar: “Kemi marrë shembull nga gabimet e shteteve të tjera morëm masa në kohë”.

Por zonja Tomini i druhet edhe diçkaje tjetër, mbërritjes së burimeve të reja të infeksionit nga zonat që deri sot janë pa raste: “Duhet të kuptojmë se edhe popullata ka ndryshime gjenetike nga një zonë në një zonë tjetër. Krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit, të mos harrojmë se disa vende e kanë kulmin e epidemisë në ditën e 50-të, disa në të 30-ën”, – tha Tomini.

Gjithsesi ajo u tregua optimiste kur tha se dalëngadalë virusi po e humbet agresivitetin. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd