Transmetuar më 16-04-2020, 14:43

Në dalje të Parlamentit ku u miratuan ndryshimet në Kodin Penal, në rastin e një situate epidemie, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një hapje graduale të aktivitetit ekonomik.

Ai deklaroi se ka rezultate të shkëlqyera në frontin e luftës sa i përket shëndetit, dhe përtej çdo humbje jete të cilën e cilësoi të çmuar, ai nënvizoi se duhet të garantohet hapja, duke mbrojtur jetën.

“Ne duhet të garantojmë hapjen, të mbrojmë njerëzit, jetën dhe patjetër të lehtësojmë një proces që ka ndikuar në ekonominë familjare dhe kombëtare. Mendoj se është bërë gjëja e duhur. Kemi pasur një takim të gjatë por të dobishëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të adresuar këtë nevojë në kohë për të mos pasur pengesa apo zgjatje të natyrës procedurale, kemi diskutuar edhe me Presidentin, jemi harmonizuar përmes ekspertëve të parlamentit dh të zyrës juridike të Presidentit, dhe me grupet e tjera parlamentare, është arritur një përfundim që adreson shqetësime legjitime të shprehura nga faktorë të tjerë, dhe nevojën legjitime të këtij momenti”, tha kreu i qeverisë.

Ai tha se sot u mbush një boshllëk të Kodit Penal, pasi rezultonte i vetmi Kod Penal në Europë pa asgjë të shënuar për një situatë epidemie.

Kjo gjë sipas Kryeministrit, vjen në një fazë ku po përgatitet hapja graduale e aktivitetit ekonomik dhe e normalizimit me aq sa mundet të jetës.

"Ishte e pamundur të konceptohej që paralelisht të mos kishim edhe këto masa që të garantojnë hapjen, sepse ajo që kemi vënë re, një shqetësim i ardhur dhe nga drejtuesit e policisë, kryetarët e bashkive, është një lloj relaksimi dhe lëshimi, që nuk mund të kthehet në fenomen, se është i rrezikshëm”, u shpreh Rama./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd