Transmetuar më 16-04-2020, 14:35

Mbrëmjen e kaluar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të thirrur nga Presidenti Meta morën pjesë kryeministri Rama dhe kryedemokrati Basha.

Tema e rëndësishme e debatit të tyre ishte çështja e anulimit të koncesioneve.

Basha ka kërkuar rritjen nga qeveria të buxhetit që i vjen në ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve, duke patur si moto kryesore “ruajtjen me çdo kusht të vendeve të punës”.

Burime për Balkanweb bëjnë të ditur se Rama ka deklaruar se “qeveria nuk ka më shumë mundësi sesa ka bërë dhe po bën me paketën e zgjeruar të ndihmës”.

Qëndrimi nuk është pranuar si realist nga kreu i opozitës. Basha ka argumentuar se qeveria ka mjaftueshëm para për të shtuar fondin e ndihmës. Ai ka përmendur fondet e koncesioneve, duke i kërkuar kryeministrit të vendosë për anullimin e tyre.

“Le të marrim për shembull koncesionet dhe PPP-të për 3 inceneratorët. Vetëm anulimi i tyre lehtëson buxhetin nga një barrë prej qindra milionë euro në vite dhe afro 20 milionë vetëm këtë vit”, thuhet se është shprehur Basha.

Përveç kësaj, kryetari i PD ka kërkuar anullimin e shumës totale prej 120 milionë usd për koncesionet e tjera, në mënyrë që të shpëtohet ekonomia e vendit nga kriza e koronavirusit.

Pa dhënë asnjë argument, Rama ka marrë një vendim të prerë duke mos pranuar në mënyrë kategorike anulimin e koncesioneve dhe PPP-ve të inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës./a.m/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd