Transmetuar më 15-04-2020, 20:14

Një urdhër ministreje ka kaluar pa zhurmë duke mos u njoftuar apo komentuar as në daljet disa herë në ditë të kryeministrit Edi Rama në faqen personale në Facebook: Nga e premtja pasdite dhe deri të hënën në mëngjes, do të ketë izolim të plotë të vendit duke mos lejuar dalje nga shtëpia dhe as dyqane hapur. Bëhet fjalë për modelin turk që aplikoi ministri i Brendshëm javën e shkuar duke mbyllur nga e premtja natën vonë deri të dielën në darkë 31 rajone të Turqisë dhe që pasoi në pak orë kaos dhe panik duke dyndur njerëzit që shpërfillën distancat sociale dhe përfundoi me dorëheqjen e ministrit që Erdogani më tej e refuzoi.

Sipas urdhrit, duke nisur nga java e ardhshme, asnjë shërbim nuk mund të merret që nga e premtja ora 17.30 e deri të hënën në mëngjes. Nuk do të lejohen dyqane dhe do të ndalohet lëvizja e të gjithë personave më këmbë, ose me mjete motorike si motorë apo makina, duke përjashtuar rastet e veçanta të parashikuara që në mars.

Kjo do të jetë hera e gjashtë që fundjava e shqiptarëve katandiset në këtë mënyrë, por këtë radhë edhe më keq: Tri ditë mbyllur. Për më tepër, urdhri i Manastirliut shton se mbyllja për çdo javë nga e premtja në të hënë do të jetë pa afat!

Një vëzhgim dhe vox-pop me disa qytetarë të Tiranës, nxjerr në pah problematikën e këtij urdhri të Ogerta Manastirliut. Njerëzit e cilësojnë të tepërt mbylljen thuajse tri ditë në shtëpi, kur edhe nga e shtuna në të hënë ishte goxha rëndë. Sipas tyre, është absurde që të ndalësh totalisht vendin tri ditë, duke mos lejuar deri dhe farmacitë që të jenë hapur, apo dhe furrat e bukës.

"Njerëzit dhe kështu janë duke vuajtur boll. Të na mbyllësh tri ditë të javës. Përse? Virusi nuk të sulmoka 4 ditë dhe tri ditë bëka namin", pyet ironikisht një qytetar.

Një tjetër thotë: "Ç’kujtojnë këta se jemi ne? Po pse vetëm hall korone kanë njerëzit këtu? Po kur kemi ndonjë problem me fëmijët, apo me këdo tjetër, ore edhe vetë unë të kem, ku të shkoj? Si mund të mbash farmacitë mbyllur tri ditë rresht? A janë normalë këta që shpallin urdhra të tillë? Në vend të dalin e të nxjerrin në media se kush janë farmacitë që shteti duhet t’i detyrojë të jenë 24 orë hapur, këta venë dhe mbyllin çdo gjë…", shprehet qytetar tjetër, i shqetësuar. /e.i/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd