Transmetuar më 15-04-2020, 18:03

Një matematicien dhe analist nga Izraeli ka shpjeguar se kulmi i koronavirusit është pas 40 ditësh dhe fillon rënien duke arritur deri në zero pas 70 ditëve. Profesori Isaac Ben-Israel tha se nuk ka rëndësi se çfarë masash merren pasi shifrat fillojnë të bien vetë.

Kreu i programit të Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Tel Aviv dhe kryetari i Këshillit Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim, doli të hënën në një intervistë për “Israel’s Channel 12” duke i habitur të gjithë me deklaratën e tij ku thoshte se ishte kundër mbylljes së aktiviteteve që kanë rol të rëndësishëm në ekonomi.

Ai kishte analizuar rritjen dhe rënien e rasteve në disa shtete të botës, për të cilin thotë se numrat flasin vetë. Kujtojmë se Wuhani, vendi ku shpërtheu pandemia u rihap 76 ditë pas izolimit total.

Profesori tha se e mbështet distancimin social, por mbylljen e bizneseve nëpër botë e konsideron të gabuar. Për këtë u bazua tek rasti i Izraelit për të cilin tha se rreth 140 njerëz vdesin çdo ditë normalisht.

Profesori Gabriel Barbash, ish drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, këmbënguli se deklarata e Ben Israel është e gabuar dhe thotë se numri i të vdekurve do të ishte shumë më i lartë nëse shteti hebre dhe vendet e tjera nuk do të kishin ndërmarrë hapat e tyre.

“Unë kërkoj me forcë që të mos lejohen matematikanët, të cilët nuk dinë asgjë rreth biologjisë, që të përcaktojnë se kur duhet ta heqim bllokimin”, u shpreh Barbash, raporton noa.al duke cituar The Times of Israel.

Kur Barbash përmendi Nju Jorkun si provë të dukshme se Ben-Izraeli është gabim, ky i fundit theksoi se rasti ishte në përputhje me statistikat e tij që tregojnë se shifrat kanë shënuar rënie pas rreth 40 ditësh.

I pyetur për të shpjeguar fenomenin, Ben-Israeli tha: "Unë nuk kam asnjë shpjegim. Ka lloje të ndryshme spekulimesh. Ndoshta është e lidhur me klimën, ose virusi ka një jetëgjatësi ndaj tij."/a.m/noa.al

Isaac Ben-Israel

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd