Transmetuar më 14-04-2020, 18:58

Një tjetër shenjë që metodat e përdorura nga Tajvani për identifikimin në kohë të rasteve dhe parandalimin e tyre kanë dhënë fryte

Këtë të martë, Tajvani ka raportuar zero raste të reja me koronavirus për herë të parë prej më se një muaji tashmë. Kjo tregon se metodat që ka përdorur ky vend për parandalim të hershëm të rasteve kanë dhënë frytet e tyre.

Tajvani ka marrë lëvdata nga ekspertët e shëndetit për mënyrën se si ky vend ka arritur ta luftojë virusin, duke ushtruar kontrolle ndaj pasagjerëve që vinin nga Vuhani që më 31 dhjetor të vitit të kaluar.

Deri më sot, Tajvani ka raportuar vetëm 393 raste dhe gjashtë vdekje. 338 prej rasteve dyshohet të jenë infektuar jashtë vendit, ndërkohë që pjesa tjetër, 65, dyshohet se kanë qenë infektime brenda vendit.

“Ne shpresojmë të ketë kaluar”, tha ministri i Shëndetësisë së këtij vendi, Çen Shih-Çung gjatë një konferencë për shtyp, duke shtuar se “ne duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë”.

Tajvani është ndër të paktat vende në botë që mbylli kufijtë që kur nisën rastet e Kinës dhe arriti të ndalë kaq shumë depërtimin e koronavirusit në një popullsi prej 24 milionë banorësh, me parimin “qëndrojmë mbyllur brenda vendit, jo brenda shtëpisë”.

Edhe Shqipëria e kishte shansin e madh që të mbyllte kufijtë më së paku kur nisën rastet e para në Itali, pra më 21 shkurt duke zbatuar parimin “qëndrojmë të mbyllur në Shqipëri, jo në shtëpi”. Por kryeministri Edi Rama, përkundër kërkesave të vazhdueshme nga qytetarët dhe opozita, zgjodhi të mbyllë kufijtë vetëm pasi koronavirusi depërtoi në vend përmes të ardhurve nga Italia. /e.i/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd