Transmetuar më 13-04-2020, 20:22

Ndërkohë që ende nuk ka pasur studime bindëse mbi lidhjen mes koronavirusit dhe nuhatjes, mjekët kanë raportuar se humbja e nuhatjes mund të jetë një ndër simptomat e virusit, por sa e përhapur është kjo gjë dhe se sa mund të zgjatë, mbetet ende e paqartë

“U zgjova dhe nuk arrija të shijoja apo të nuhatja gjë. Ishte gjëja më akute që kisha përjetuar ndonjëherë.” Kështu shprehet londinezja Holli Born (Holly Bourne), e cila, nuk ka të drejtë të testohet për koronavirus për shkak se nuk ka shfaqur as kollë dhe as temperaturë të lartë. Por përvoja e saj ku papritur e pa kujtuar humbet nuhatjen, e ndërthurur kjo me marrje mendsh, dhimbje koke dhe lodhje, bënë që mjekët ta diagnostikonin menjëherë me COVID-19 me anë të telefonit.

Ndërkohë që ende nuk ka pasur studime bindëse mbi lidhjen mes koronavirusit dhe nuhatjes, mjekët kanë raportuar se humbja e nuhatjes mund të jetë një ndër simptomat e virusit, por sa e përhapur është kjo gjë dhe se sa mund të zgjatë, mbetet ende e paqartë.

Sipas profesor Stiven Munger (Steven Munger), drejtor i Qendrës për Nuhatjen dhe Shijen në Universitetin e Floridës, kjo përgjigje është ende e panjohur, raporton noa.al.

“Ajo që kemi ditur për një kohë të gjatë është fakti se një nga faktorët kryesor të humbjes së nuhatjes lidhet me infeksionet e kanalit të sipërm respirator për shkak të viruseve. Një grup njerëzish e humbasin përkohësisht, por një grup i vogël e humbasin atë përherë”, i tha ai CNN duke mos qenë në gjendje të ofrojë një përgjigje të saktë se sa kohë do t’u duhet këtyre njerëzve që kanë humbur nuhatjen për shkak të koronavirusit që t’u rikthehet sërish. /e.i/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd