Transmetuar më 13-04-2020, 00:55

Duke filluar nga kjo e hënë e deri në një urdhër të dytë zgjatet fasha e orarit për mbajtjen hapur të bizneseve të lejuara gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga koronavirusi. Disa dyqane do të qëndrojnë të hapura nga ora 05:00 deri në 17:30. Orari i lejuar për të lëvizur me leje vetëm një person brenda familjes bëhet nga 60 në 90 minuta. Këto ndryshme janë pjesë të një urdhri të firmosur të dielën vonë nga Ministria e Shëndetësisë dhe ishin paralajmëruar më herët nga kryeministri Rama.

Por ndërsa zgjatja e orarit u reklamua përditë për dy javë rresht, u mbajt i fshehur urdhri tjetër: zgjatja e ndalimqarkullimit të qytetarëve dhe çdo lloj mjeti duke filluar nga e premtja e çdo jave, në orën 17:30 deri të hënë e 20 prillit në orën 05:00. Edhe kjo pa afat, deri në një urdhër të dytë.

Gjatë kësaj fashe orari në fundjavë nuk do të lejohet ansjë lloj biznesi hapur, as farmacitë, marketet apo bizneset e tjera që lejohen të hapura gjatë javës nga ora 05:00-17:30:

“Kufizim lëvizjeje në të gjitha qendrat urbane në Shqipëri për të gjitha kategoritë, këmbësor, biçikleta, ciklomotor, motomjete dhe mjete dhe ndalim ofrimi të shërbimeve për qytetarët nga aktivitete e lejuara, çdo fundjavë duke filluar nga e premtja, 17 prill, nga ora 17:30 deri të hënën në orën 05:00. Përjashtohen nga ky rregull të gjitha mjetet e transportit të mallrave, policia e shtetit, forcat e armatosura, njësitë kritike të shërbimeve shtetërore dhe kompanitë mediatike dhe shërbimet delivery”, shkruhet në urdhrin e Ogerta Manastirliut.

Mbyllja totale e vendit për tri ditë të çdo jave është shqetësuese për njerëzit dhe nevojat e tyre. Ky kufizim drastik nuk gjendet në asnjë udhëzim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Më konkretisht pikat që noa.al ju sjell më poshtë, janë ato çka rekomandon OBSH të zbatohen:

1.Qëndroni në shtëpi nëse keni simptoma ftohjeje apo gripi. Rrini në shtëpi edhe dy ditë pasi të largohen simptomat.

2.Praktikoni higjienë të mirë duke larë rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe pastrim me higjienizues kur s’mundeni.

3.Mbani distancë me njerëzit e tjerë në vende publike. Këto përfshijnë dyqane, parqe, muzeume, rrugë. Distanca midis 1.5 deri 2 metra.

4.Shmangni organizimin e festave dhe aktiviteteve të tjera.

5.Punoni nga shtëpia nëse keni mundësi.

6.Shmangni lëvizjet jothelbësore brenda dhe jashtë vendit. Këto përfshijnë vizita familjare, pushime të planifikuara dhe çdo lloj tjetër udhëtimi që mund të shmanget. Nëse ju duhet të udhëtoni, shmangni orare piku në transportin publik.

7.Nëse jeni mbi 70 vjeç ose në grupe njerëzish me rrisk të lartë, ju duhet të qëndroni në shtëpi dhe të reduktoni të gjitha kontaktet sociale. Shmangni ikjen në dyqane, por ju mund të dilni jashtë nëse ruani distancën sociale.

Siç shihet, asnjë masë tjetër nuk ekziston në rekomandimet e OBSH tek të cilat qeveria thotë se bazohet. Lind pyetja: Përse atëherë shqiptarët po vuajnë kufizime kaq drastike?

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd