
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, nuk pranon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Süleyman Soylu, pasi ky i fundit deklaroi pak më herët se dorëzonte postin që mbante prej katër vitesh, kur u emërua për të shtypur "grushtin e shtetit" në vend.
Erdogan reagoi publikisht mbi dorëheqjen e Soylu duke thënë se nuk do ta pranonte atë dhe se kërkonte që ministri të vazhdojë detyrën që mbante.
Ministri turk i Punëve të Brendshme, njoftoi pasditen e së dielës se tërhiqet nga posti, pas një situate shqetësuese gjatë orës policore të kësaj fundjave në pjesën më të madhe të Turqisë.
Kaosi erdhi pasi Soylu shpalli shtetrrethim dyditor në 31 rajone të Turqisë, përfshirë Stambollin dhe kryeqytetin Ankara. Shtetrrethimi u shpall mbrëmjen e së premtes dhe hynte në fuqi dy orë më pas, në mesnatë.
Kjo kohë e shkurtër paralajmërimi bëri që shumë njerëz të dynden në rrugë, supermarkete dhe dyqane të tjera duke bërë blerje nën panik dhe duke mos respektuar distancën sociale.
![]()
Kështu, përpjekja e qeverisë për të frenuar përhapjen e koronavirusit, u shndërrua në një arenë të mundshme të shpërthimit të infeksionit.
"Në një proces të kryer me kujdes dhe përpikëri, përgjegjësia për gjithë zbatimin e orës policore gjatë fundjavës për të frenuar pandeminë në çdo aspekt bie mbi mua", shkroi Soylu në Twitter.
"Unë nuk duhet të kisha shkaktuar skena të tilla në këtë incident, përgjegjësia e të cilës na takon neve", shtoi ai.
Ministri turk kërkoi nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan që ta falë atë për incidentin dhe se ai do të jetë gjithmonë besnik ndaj kombit të tij, të cilin "kurrë nuk ka dashur ta dëmtojë".
Zbatimi i orës policore hyri në fuqi të premten në mesnatë për 48 orë në 31 provinca, respektivisht deri mesnatën duke gdhirë e hëna. Ora policore është zbatuar kryesisht nga 63 milionë njerëz që jetojnë në këto provinca, nga gjithsej 82 milionë banorë të Turqisë.
Autoritetet shëndetësore turke së fundmi raportuan 97 vdekje të reja nga koronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 1.198. Vendi po ashtu raportoi rreth 57 mijë raste të konfirmuara që nga shpërthimi i koronavirusit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





