
Qeveria kineze ka hedhur poshtë pretendimet “e padrejta” se ka tentuar “të fshehë” shpërthimin e koronavirusit në qytetin Vuhan.
Zhao Lijian, zëdhënës i ministrisë së Jashtme, ka thënë se Kina ka qenë “e hapur, transparente dhe e përgjegjshme” në informimin e botës rreth pandemisë.
Ai ka thënë se “ka kaluar pak kohë derisa kemi kuptuar” për virusin, i cili zyrtarisht është vërejtur në Vuhan, në provincën Hubei në fund të vitit të kaluar.
Lijian shtoi se pala kineze zbaton gjithmonë konceptin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe se është e gatshme të shtojë lidhjet dhe bashkërendimin me vendet anëtare të G20-s, për të konkretizuar konsensusin e arritur në samitin e këtij grupi.
Ka shumë zëra se Kina ka fshehur shkallën e madje edhe ekzistencën e virusit në fazat e para.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka akuzuar Kinën se nuk ka qenë transparente për shkallën e shpërthimit në Vuhan.
Menjëherë më pas, Lijian ka reaguar duke thënë se virusi mund të mos ketë origjinën në Vuhan dhe se mund të ketë shpërthyer “në secilin qytet, shtet apo rajon të botës”.
Ai po ashtu e ka mbrojtur Organizatën Botërore të Shëndetësisë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump e ka cilësuar si shumë “Kino-centrike”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian e bëri këtë koment pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se vendi i tij mund të pezullojë financimin ndaj OBSh-së.
"Ndërsa COVID-19 po përhapet me shpejtësi në mbarë botën, deklarata e ShBA-së për pezullimin e financimit ndaj OBSh-së do të dëmtojë seriozisht funksionimin normal të kësaj organizate, si dhe bashkëpunimin antipandemik ndërkombëtar. Shpresojmë se vendet e ndryshme do të punojnë bashkërisht, do ta ndihmojnë njëri-tjetrin në vështirësi dhe do të kontribuojnë bashkërisht për luftën globale kundër pandemisë," tha zëdhënësi i diplomacisë kineze.
Ai shtoi se OBSh-ja e ka kryer aktivisht detyrën e vet për të ndihmuar vendet në përballimin e epidemisë së koronavirusit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas tij, deklarata e Samitit të Posaçëm të G20-s mbi COVID-19 kohët e fundit thekson gjithashtu që anëtarët duhet të forcojnë më tej mandatin e OBSh-së për bashkërendimin e luftës ndërkombëtare kundër pandemisë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





