Transmetuar më 12-04-2020, 11:18

Në Shqipëri u regjistruan 24 orët e fundit 13 raste të reja me koronavirus duke e çuar në 446 numrin total të të infektuarve në vend.

Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, të cilët kanë gjetur vdekjen.

Një lajm i mirë vjen nga situata në Shqipëri pasi 20 pacientë janë shëruar gjatë këtyre orëve duke e çuar në 217 numrin total të të shëruarve në vend.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 49 pacientë. Në spitalin Infektiv janë 41 pacientë të shtruar, nga të cilët 6 në terapi intensive, 2 prej tyre të intubuar. Ndërkohë pranë spitalit ‘Shefqet Ndroqi’, COVID 2, janë të shtruar 8 pacientë, 6 në terapi intensive dhe 5 të intubuar.

Në komunikatën e ditës së sotme, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se në 24 orët e fundit janë testuar 233 persona të dyshuar dhe deri në këto momente janë testuar 3877 raste të dyshuara.

Siç duket në grafikun e shpërndarjes të të shëruarve sipas grupmoshave, ka raste të shëruara në të gjitha grupmoshat.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 6 raste, Shkodër 5 raste dhe Durrës me 2 raste. Pjesa më e madhe e rasteve të identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte të rasteve të mëparshme të prekura me COVID-19, ndërkohë që vazhdon procesi hetimit epidemiologjik.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 215 raste – Durrës 41 raste – Lushnje 6 raste – Elbasan 15 raste – Fier 32 raste – Kavajë 8 raste – Rrogozhinë 4 raste – Korçë 17 raste – Vlorë 5 raste – Shkodër 57 raste – Lezhë 14 raste – Berat 2 rast – Has 12 raste – Krujë 6 raste -Tropojë 4 raste – Pukë 5 raste – Mirditë 3 raste

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd