Transmetuar më 12-04-2020, 02:03

Italia ka vendosur të rrisë numrin e testimeve ndaj koronavirusit si dhe të përdorë teknologjinë e gjurmimit të kontakteve, sapo të përfundojë afati i masave kufizuese që pritet të jenë në fuqi të paktën deri më 3 maj, në një proces që ka për synim të pajisë banorët e saj me pasaporta imuniteti.

Komisioneri i Posaçëm për Emergjencat ndaj Viruseve, Domenico Arcuri, tha për televizionin "SKY TG24" se italianët do t’i nështrohen testeve të detyrueshme të gjakut, që do të krijojnë siç tha ai, të ashtuquajturin sistemi i "pasaportave të imunitetit".

Aplikacionet e gjurmimit të kontakteve do të mund të shkarkohen në celular dhe do t’u mundësojnë njerëzve të dijnë nëse kanë qenë në kontakt me dikë i cili ka rezultuar pozitiv ndaj virusit. Atëherë ata do të mund të testohen në një përpjekje për të kufizuar përhapjen e mëtejshme të COVID-19.

Testet e gjakut që identifikojnë antitrupat janë ende duke u zhvilluar. Virologët kanë tërhequr vëmendje se testet nuk do të jenë një dëshmi se personi ka fituar imunitet, por do të japin informacion nëse një person ka qenë në kontakt me virusin.

Nëse një test për antitrupa rezulton pozitiv, do të nevojiten të tjera teste për të mësuar nëse virusi është ende aktiv. Qëllimi i zyrtarëve të shëndetit publik është të përcaktojnë se sa zgjat imuniteti ndaj këtij lloj virusi.

SakaqPresidenti Donald Trump urdhëroi zyrtarët e administratës së tij të ndihmojnë Italinë në përpjekjet e saj ndaj koronavirusit duke i siguruar pajisje mjekësore, ndihmë humanitare dhe ndihma në forma të tjera.

Në mesin e masave përfshihet vënia në dispozicion e personelit ushtarak amerikan në Itali, për shërbimet e telemjekësisë, ndihmë për ngritjen e spitaleve të përkohshme dhe furnizimimin me pajisje mjekësore.

"Italia, një nga aleatët tanë më të afërt e më të vjetër, po shkatërrohet nga pandemia e COVID-19, që tashmë ka marrë më shumë se 18,000 jetë në këtë vend. Pandemia ka çuar sistemin italian të kujdesit shëndetësor në prag të kolapsi dhe po kërcënon ta fusë ekonominë italiane në recesion të thellë", shkruan zoti Trump në një dokument që autorizonte dhënien e ndihmës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd